Pas vlerësimeve të bëra nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, kanë filluar të zbatohen punimet për ndërhyrje restauruese – konservuese në shtëpinë e familjes Koci.
Kjo ndërtesë gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit, respektivisht në lagjen e Potokmahallës të Prizrenit.
“Bazuar në stilin arkitektonik, teknikës dhe materialit të ndërtimit, monumenti në fjalë konsiderohet të jetë ndërtuar në shekullin XIX, dhe i përket shtëpive me zgjidhje të veçantë e nderuar në kat, e cila ka shërbyer dhe akoma shërben për banim. Formësimi hapësinor, proporcionet, organizimi i brendshëm, elementet e enterierit, trajtimi i fasadës me elemente dhe daljet në formë erkeri paraqesin tiparet kryesore artistike të kësaj ndërtese. Në kuadër të parcelës së familjes Koci gjendet shtëpia, oborri dhe nyja sanitare”.
“Kjo ndërtesë i është nënshtruar procesit të restaurimit dhe konservimit në kuadër të zbatimit të programit masat preventive-intervenimet emergjente, financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, njoftojnë nga kjo qendër.