Nisen për në Vjenë 50 qytetarë që fituan udhëtimin nga Qeveria, Kurti thotë se sot u hoq një padrejtësi

Prishtinë | 01 Jan 2024 | 10:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka uruar qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave, raporton Ekonomia Online.

Kurti tha se sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë, të cilët e kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës së Qeverisë.

“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende. Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti.

Kujtojmë se Komisioni Evropian ka vlerësuar që nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Por, për shkaqe politike dhe reflektime të brendshme, vendimi ishte shtyrë.

Por, kryeministri Albin Kurti ia ka mveshur Qeverisë së tij meritën që kosovarët nga sot do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

“Nuk e premtuam, por e realizuam. Liberalizimi i vizave u jetësua sot”, ka shkruar Kurti në Facebook, ku ka postuar dhe disa fotografi nga ceremonia që u zhvillua sot në Aeroportin e Prishtinës.

“Nuk do privohemi më nga mundësitë që na paraqiten në art, edukim, sport, kulturë e fusha të tjera. Po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë, si forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare”.

“Për të shënuar këtë arritje të rëndësishme, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, përcollëm fluturimin e parë nga Prishtina, pa viza, drejt qytetit të bukur të Vjenës. Janë gjithsej 50 qytetarë, të cilët e fituan këtë mundësi në kuadër të fushatës sonë informuese”.

“E këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin”, ka thënë Kurti.

“Kudo që të udhëtojmë, le të kujtojmë e kurrë mos harrojmë se shtëpia jonë është Kosova”.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën e 25 prillit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Me këtë veprim u përmbyll edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Vendimi pritej të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, për të gjithë qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës.

Kryeministri Kurti nga aty tha se Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.

Të ngjashme