Vajza 3-vjeçare Xheneta Gashi ka vdekur më 6 qershor të këtij viti si pasojë e shembjes së shtëpisë në Lagjen historike, afër Shatërvanit në Prizren.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka filluar hetimet kundër N.K., B.B. dhe B.E., që të tre zyrtarë në Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 5-2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale si bashkëkryerës, mos-evitim i rrezikut nga neni 370 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet kanë filluar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se gjatë periudhës kohore janar e deri më 06.06.2016 në Prizren, në cilësinë e personave përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, të tre të pandehurit, në kundërshtim me detyrimet dhe fushë veprimtarinë e tyre të përcaktuar me ligj, nuk kanë ndërmarrë masa për vendosjen e pajisjeve përreth shtëpive me predispozitë të shembjes, për të evituar veprimin e rrezikshëm, mbrojtjen e kalimtarëve dhe njerëzve të cilët banonin përreth dhe nga mosveprimi i këtyre të pandehurve vjen deri të shembja e objektit të vjetër – një shtëpie në rrugën “Marin Barleti”, me ç ‘rast nga plagët e marra ka humbur jetën një vajzë e mitur.
Po ashtu, të pandehurit në periudhën e njëjtë kohore nuk kanë ndërmarr paraprakisht masa për evitimin e rrezikut për kalimtarët dhe banorët përreth shtëpisë me predispozitë të shembjes, e cila ndodhej në rrugën “Marin Barleti”, në zonën e qendrës historike të Prizrenit dhe nga mos ndërmarrja preventive e masave mbrojtëse nga personat përgjegjës të lartpërmendur, gjatë shembjes së shtëpisë, nga plagët e marra ka humbur jetën një vajzë e mitur.