Foshnja, e cila ra në pllaka gjatë lindjes në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka pësuar gjakderdhje në tru. Prindërit kanë akuzuar stafin mjekësor për neglizhencë që nuk ka ndërhyrë. Nëna e cila ka lindur fëmijën ka rrëfyer për media se nuk ishte ndihmuar as nga infermieret.
Babai i foshnjës, Bekim Qerimi, ka denoncuar rastin në Policinë e Kosovës, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Qerimi nuk ka pranuar të japë deklaratë më të detajuar rreth rastit, pasi, sipas tij, tash hetimet po zhvillohen dhe pret që drejtësia të ndërhyjë dhe të merren masa ndaj atyre që lejuan të ndodhë dhe lënduan foshnjën e tij.
Ai ka bërë të ditur se foshnja është gjallë, por ka gjakderdhje në tru.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se hetimet kanë nisur edhe nga autoritetet e drejtësisë në vend. Ndërsa gjatë ditës është bërë e ditur se QKUK-ja po hulumton rastin në Klinikën e Gjinekologjisë.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) njofton se ka nisur hulumtimin lidhur me një rast të dyshimtë në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike. Drejtoria e Përgjithshme e SHSKUK-së ka kërkuar deklaratë me shkrim nga menaxhmenti i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike duke kërkuar sqarim, informacione dhe hulumtim të detajuar në lidhje me rastin, të gjeturat dhe përgjegjësinë eventuale. Po ashtu, janë kërkuar deklaratat nga shefi i ndërrimit, mjekët, shefi i sallës, mamive apo të gjithë personave të tjerë që lidhen me rastin në fjalë”, është njoftuar gjatë ditës nga Zyra për Informim e QKUK-së.
Ndërsa, në një konferencë për medie nënkryetarja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se mosbesimi, keqmenaxhimi, mungesa e kapaciteteve dhe mosfunksionalizimi i atyre ekzistuese, financimi jo i qëndrueshëm, keqpërdorimi i donacioneve me pasojë humbjen e besimit të donatorëve potencialë, çdo ditë e më tepër po orienton të sëmurët jashtë vendit dhe po i përballë qytetarët pa të ardhura të mjaftueshme me rreziqe të rënda.
Deputetja, Besa Baftiu, ka theksuar vonesat në fillimin e aplikimit të sigurimeve shëndetësore.
“Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka sigurime shëndetësore publike si pasojë e mungesës së përpjekjeve serioze nga qeveritë e deritashme”, tha ajo.
Baftiu tha se vendimi qeveritar për mbledhjen e premiumeve, që u anulua nga Qeveria në fillim të këtij viti nga presioni publik, ishte po ashtu abuziv.(zëri)