Dyshimet për një varrezë masive në fshatin Bukosh të Vushtrrisë, kanë nxitur hulumtimet në këtë zonë.
Sipas disa dëshmitarëve anonimë në këtë lokacion, afër varrezave të fshatit, mund të ketë një varrezë masive të luftës së fundit në Kosovë, raporton KTV.
Andaj, kanë nisur incizimet në kërkim të mbetjeve mortore.
Përmes incizimeve të këtij radari tokësor, të siguruar nga Kombet e Bashkuara, të mërkurën janë shënjuar lokacionet e dyshuara.
Por, pala kosovare po vazhdon të ketë probleme, kur bëhet fjalë për lokacionet në Serbi.
Ditë më parë, Serbia nuk lejoi që të gërmohej në Jallovishtë të Serbisë, përkundër faktit se pala kosovare i kishte koordinatat nga një dëshmitar .
Prokuroria Speciale tashmë ka lëshuar edhe 6 urdhëresa për 6 lokacione të tjera në Kosovë, të dyshuara si varreza masive.
Incizime përmes radarit tokësor me dyshimet për varreza masive, gjatë këtyre ditëve, janë bërë edhe në tri lokacione në fshatin Uglar dhe një tjetër lokacion ka qenë në Kishnicë të Graqanicës.