Investimet në zonën urbane përmes projekteve të ndryshme infrastrukturore janë në vlugun më të lartë të punës. Një i tillë i’u shtua sot programit të financimit për rikonstruktimin e rrugëve në zonën urbane.
Nisjen e punimeve për trajtimin e infrastrukturës nëntokësore dhe asfaltimin e 5 rrugëve në qytet e panë nga afër Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili shoqërohej edhe nga zëvendësministri i Financave, Mustafa Grainca dhe drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.
I pari i Ferizajt, Agim Aliu, vuri theksin te vëmendja e qeverisjes lokale që zonës urbane t’i ofroj sa më shumë projekte infrastrukturore duke rikonstruktuar infrastrukturën nëntokësore dhe rrugët në përgjithësi të cilat janë të dëmtuara apo pa këto standarde. Ai tha se nga 127 rrugët e kontraktuara për rikonstruksion, do të shtohen edhe disa segmente të tjera që në total do të jenë afërsisht 200 rrugë të rikonstruktuara në zonën urbane gjatë vitit 2019.
“Tashmë siç jeni të njoftuar janë një shumicë rrugësh në kuadër të projekteve urbane në qytetin e Ferizajt. Ne afërsisht kemi kontraktuar 127 prej tyre, pritet që edhe pjesa tjetër të kontraktohet që do të jenë afërsisht 200 rrugë të qytetit të cilat do të jenë pjesë e zhvillimit të punëve nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe infrastrukturën nëntokësore aty ku është e nevojshme për të përfunduar pastaj me asfaltimin e rrugëve. Ndërsa sot jemi këtu në një projekt të rëndësishëm i cili është bashkëveprim, bashkëfinancim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ky nuk është i vetmi projekt që ne kemi së bashku me MAPL-në , siç e dini ne kemi edhe projektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Neredime, që është bashkëfinancim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe poashtu edhe rruga e Reçakut që është poashtu siç e thashë bashkëfinancim me MAPL-në. Këtu jemi tek 5 rrugë të qytetit, jemi në rrugën “Alishefik Spahiu”, “Fehmi Lladrovci”, “Ali Asllani”, “Zenun Beqa” dhe “Lidhja e Prizrenit” ku praktikisht jo vetëm që do të rregullohen apo hiqen në pjesë të caktuara gypat e vjetër të ujësjellësit por në fund do të jenë edhe dy shtresa të asfaltit”.
“Vlera e projektit është afërsisht 140 mijë euro dhe bëhet fjalë për një gjatësi prej 1.3 kilometra e cila do të trajtohet në kuadër të infrastrukturës nëntokësore dhe asaj që është me asfalt. Pra, bëhet fjalë për 5 rrugë që do të trajtohen edhe si infrastrukturë nëntokësore edhe poashtu sa i përket asfaltimit me dy shtresa, projekt ky i fituar siç e thashë – bashkëfinancim i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe që është në kuadër të financimeve dhe të mbështetjes së projekteve në zonën urbane të qytetit” – tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, duke shtuar se realizimi i projekteve infrastrukturore do të shtrihet gjithandej zonës urbane.
Madje, i pari i Ferizajt, Agim Aliu paralajmëroi se shumë shpejt do të punohet edhe në një projekt të mbetur në gjysmë në rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani”, ku ka pasur një çështje të pazgjidhur pronësie, gjegjësisht shpronësimi, duke theksuar se ditëve në vijim edhe në atë pjesë do të vazhdohen punimet pas njoftimit nga Ministria e Financave përkitazi me vazhdimin e punimeve pas procedurave të shpronësimit.