Nisma për Kosovën sot ka mbajtur një konferencë për medie me ç’rast ka demantuar shifrat e proklamuara nga Qeveria e Kosovës në lidhje me numrin e të punësuarve.
Sekretari për Ekonomi dhe Zhvillim i Nismës për Kosovën, Shyqiri Bytyqi, përmes të dhënave statistikore zyrtare, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka demantuar Qeverinë e Kosovës lidhur me numrin e të punësuarve në vend. Qeveria, në vazhdimësi po deklaron se në vitin 2015 ka punësuar mbi 20 000 veta, dhe se është në rrugë të mbarë për realizimin e premtimit për punësim.
Por, Bytyqi tha se në vitin 2015 madje ka pasur 26 868 veta më pak të punësuar sesa në vitin 2014.
“Po ashtu, sipas shifrave të ASK-së, rezulton se në vitin 2015 mbi 56 000 veta në moshë pune kanë migruar jashtë vendit si pasojë e humbjes së shpresës nga keqqeverisja e vendit”.