Nisma në Vushtrri premton zhvillimin ekonomik dhe vende të reja pune përmes mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Në hapje të fushatës zgjedhore të Nismës për Kosovën në Vushtrri, kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, ka thënë se prioritet i Qeverisë së Kosovës do të jetë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe vëmendja që duhet t’i jepet prodhimit vendës.
“Dua të shfrytëzoj rastin t’i falënderoj dhe shpreh mirënjohje qytetarëve të Vushtrrisë të cilët më kanë mbështetur për 20 vjet. Ne nuk e harrojmë dhe do të jemi afër këtij qyteti dhe qytetarëve për t’i mbështetur me projektet tona nga ndihma që do të vij nga qeveria qendrore”, u shpreh Limaj, para përkrahësve.
“Vushtrria është vend i bekuar ashtu siç është çdo pjesë e Kosovës. Ajo çka duhet të bëjmë ne është që t’i përvjelim duart që këtë tokë ta kthejmë në shërbim dhe mirëqenie të qytetarëve tanë”.
“Ne e kemi obligim të punojmë për vendin tonë prandaj nuk do ta shfrytëzojmë pozitën tonë për të kërkuar votën përmes premtimeve të thata. Ajo çka na dallon ne është qe pak flasim e shumë punojmë. Dhe kur flet Nisma e mbanë fjalën”, theksoi kreu i Nismës.
Vojvoda: Ekonomia është vetë jeta
E kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Avdullah Vojvoda, u shpreh se “ekonomia është vetë jeta”. Ai tha se Nisma parashikon mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si gjenerator i zhvillimit ekonomik.
Vojvoda ka premtuar së paku një anëtar të punësuar për të gjitha familjet vushtrriase. “Kjo do të bëhet përmes mekanizmave zhvillimore, si zhvillimi i bujqësisë, ndërmarrësisë, që kanë impakt në mirëqenien sociale”.
“Së bashku me ndihmën tuaj do e sjellim ndryshimin për qytetin tonë dhe ky ndryshim do të bëhet me mua dhe kandidatët. Do të jemi zëri juaj”, u shpreh Vojvoda.
Sipas tij, Nisma është alternativa më e mirë për Vushtrrinë “me bazë në barazinë sociale të qytetarëve, duke promovuar zhvillimin ekonomik”.
“Nisma përkrah dhe subvencionon bizneset private për zbutje të papunësisë, ofron mundësi për pjesëmarrje të qytetarëve në qeverisje. Nisma do të promovojë shtetin social të së drejtës dhe sundimit të ligjit”, ka vazhduar kandidati i Nismës për ta drejtuar Komunën e Vushtrrisë.
Me tjerash, ai ka premtuar dhe krijim të lehtësirave administrative për investitorët dhe ulje të taksave për ta; luftimin e ekonomisë joformale; mbështetjen dhe avancimin e kuadrove profesionale dhe subvencionim për zgjidhjen e problemit të banimit.
Në fjalimin e tij të gjatë, ka folur edhe për fushën e arsimit, rininë e sportin. “Do të kujdesem që rinia të ketë perspektivë”, deklaroi Vojvoda.