Koalicioni NISMA-AKR-PD një ditë pas zgjedhjeve ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ku është kërkuar që KQZ-sa të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës.
Kjo ankesë është refuzuar dhe është hudhur si e pa lejuar në vendimin që ka marrë PZAP-ja ditën e djeshme.
Zyrtarë nga Nisma Socialdemokrate thanë se sot do të paraqesin ankesën në Gjykatën Supreme dhe presin që Gjykata të vendosë në favor të tyre.
Partia e Fatmir Limajt që garoi së bashku me AKR-në e Behgjet Pacollit nuk ka arritur të kalojë pragun prej 5% që është i domosdoshëm për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, nuk po pajtohet me rezultatin e zgjedhjeve.
Nisma ka paraqitur ankesë në PZAP ku ka kërkuar rinumërim të votave në nivel vendi por që është refuzuar nga kjo e fundit.
Ata tani do t’i drejtohen edhe një institucioni të lartë të drejtësisë, Gjykatës Supreme.
Zyrtarë nga Nisma thanë për Express se sot do të dërgojnë ankesën në Gjykatën Supreme
“Sot do të dërgojmë ankesën në Gjykatën Supreme, dhe do të duhej që vendimi i Gjykatës Supreme për rinumërim të votave të vendosë të favorin tonë”.
Zyrtarë të Nismës kanë thënë po ashtu se sipas përllogaritjeve të tyre kanë 5,5 deri në 6% pasi të numërohen votat me kusht dhe ato me postë.
“Sipas të gjitha informacioneve që kemi dhe përllogaritjeve 5,5 deri në 6% do t’i kemi me numërim të votave me kusht dhe ato të diasporës”.
Sipas tyre ka edhe ankesa tjera që janë bërë nga kandidatët për deputetë dhe janë rreth 10 të tilla
“Edhe disa ankesa që kanë bërë kandidatët tonë janë rreth 10 ankesa nëpër zona të ndryshme presim me u rinumëru edhe ato dhe me u rritë votat, ka në Runik të Skenderajt, ka në Prizren dhe në disa komuna tjera ku kanë pasur pa rregullësi”, thanë nga partia Nisma Socialdemokrate.
Nga numërimi i vendvotimeve të rregullta koalicioni NISMA-AKR-PD ka arritur të marrë 39 mijë e 495 vota ose 4,96% e që është e pamjaftueshme për të arritur pragun zgjedhor.
KQZ akoma nuk ka numëruar votat me kusht dhe votat me postë që kanë ardhur nga diaspora, të cilat janë shpresë për këtë parti që të futen në Kuvendin e Kosovës.