Niveli i antitrupave ndaj Covid-19 “bie shpejt pas infektimit”

Prishtinë | 28 Tet 2020 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Nivelet e antitrupave mbrojtës tek njerëzit zbehen “tepër shpejt” pas infektimit me koronavirus, kanë bërë të ditur të martën hulumtuesit. Antitrupat janë pjesa kryesore e mbrojtjes imunitare dhe e parandalojnë hyrjen e virusit brenda qelizave të trupit.

Ekipi i hulumtuesve të Kolegjit Mbretëror të Londrës ka zbuluar se numri i personave që kanë rezultuar pozitivë në testet për antitrupa ka rënë për 26 për qind mes muajve qershor dhe shtator. Ata kanë bërë të ditur se imuniteti duket se bie me shteg të shpejtë dhe se kjo gjë e ngërthen më vete rrezikun nga prekja e shumëfishtë prej virusit me kurorë. Një e dhënë e tillë është publikuar në kohën kur të dhënat nga Zyra Kombëtare britanike e Statistikave ka treguar se bilanci i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar është rritur për 60 për qind në javën e 16 tetorit. Më shumë se 350.000 persona në Angli u janë nënshtruar deri më tani testeve për antitrupa, të ndërmarra si pjesë e studimit “REACT-2”.

Në raundin e parë të testimit, kah fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut, rreth 60 nga 1.000 personat e testuar përmbanin antitrupa të detektuar. Por në raundin e fundit të testimeve, të kryera në shtator, vetëm 44 nga 1.000 të testuar kishin rezultuar pozitivë. Kjo e dhënë sugjeron se numri i personave me antitrupa ka rënë për më shumë se një të katërtën gjatë periudhës kohore midis verës dhe vjeshtës.

“Imuniteti është duke u zhdukur goxha shpejt, jemi vetëm tre muaj larg kohës së kryerjes së raundit të parë të testimeve dhe tashmë kemi evidentuar rreth 26 për qind rënie në nivelet e antitrupave”, ka thënë profesoresha Helen Ward, e cila ishte pjesë e hulumtuesve. Vjeshta ka rezultuar të jetë periudhë më e mirë për personat e moshave mbi 65-vjeçare, krahasuar me grupmoshat më të reja, si dhe mes atyre pa simptoma, kundruall atyre me simptoma më të theksuara të sëmundjes COVID19.

Megjithëkëtë, numri i punëtorëve të përkujdesjes shëndetësore që kanë nivele të antitrupave ka mbetur relativisht lart. Këtë gjë hulumtuesit e kanë shpjeguar me sugjerimin se ata janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj virusit. Antitrupat ngjiten në sipërfaqen e koronavirusit për ta parandaluar atë që t’i pushtojë qelizat trupore dhe të sulmojë pjesën tjetër të sistemit imunitar.

Mirëpo se çfarë në fakt nënkupton rënia e antitrupave për imunitetin, kjo gjë ende nuk dihet sigurt. Ekzistojnë edhe pjesë të tjera të sistemit imunitar, të njohura si qelizat T, të cilat gjithashtu mund të luajnë rol, duke i vrarë drejtpërsëdrejti qelizat e infektuara nikoqire dhe duke i aktivizuar edhe qelizat e tjera për ndihmë në këtë proces.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme