Nivelet jashtëzakonisht të ulëta të ujit po shkaktojnë probleme serioze për transportin në lumin Rin, një prej rrugëve më të rëndësishme ujore për furnizimin e Zvicrës dhe vendeve të tjera evropiane.
Situata është veçanërisht kritike pranë fshatit Kaub, në landin gjerman Rheinland-Pfalz, ku niveli i ujit ka rënë aq shumë sa që lumi praktikisht duket sikur është ndarë në dy pjesë, transmeton albinfo.ch.
Portet Zvicerane të Rinit kanë konfirmuar se kushtet aktuale po e vështirësojnë ndjeshëm lundrimin e anijeve të mallrave.
Për shkak të nivelit të ulët të ujit, anijet nuk mund të ngarkohen në kapacitetin e tyre të plotë. Sa më i ulët të jetë niveli i Rinit, aq më pak mallra mund të transportojnë anijet pa rrezikuar që të prekin fundin e lumit.
Megjithatë, autoritetet zvicerane theksojnë se situata aktualisht nuk po rrezikon furnizimin e Zvicrës me mallra esenciale.
Rini ka një rëndësi të veçantë ekonomike për Zvicrën, pasi përmes tij transportohen sasi të konsiderueshme mallrash drejt dhe nga portet e Bazelit. Nivelet e ulëta të ujit mund të rrisin kostot e transportit, pasi nevojiten më shumë anije për të transportuar të njëjtën sasi mallrash.
Problemet aktuale lidhen me mungesën e reshjeve dhe periudhat e gjata me temperatura të larta që kanë prekur Zvicrën dhe pjesë të tjera të Evropës gjatë kësaj vere.
Situata të ngjashme janë regjistruar edhe gjatë thatësirave të viteve 2018 dhe 2022, kur nivelet historikisht të ulëta të Rinit penguan transportin lumor dhe ndikuan në importet e benzinës, naftës dhe vajit për ngrohje në Zvicër.