Një 62-vjeçar në Ferizaj tentoi vetëvrasjen, Policia e shpëtoi

Prishtinë | 01 Maj 2023 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Një 62-vjeçar në Ferizaj është shpëtuar nga Policia pasi ka tentuar të vetëvritet.

Sipas një komunikate dërguar mediave, Policia ka bërë të ditur se 62-vjeçari kishte hipur në një vinç të lartë rreth 40 metra, afër një objekti banesor në Ferizaj dhe po tentonte të vetëvritej.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të Policisë nga njësia reaguese dhe njësia e hetimeve së bashku me mbikëqyrësin e ndërrimit të stacionit të policisë në Ferizaj.

Bëhet e ditur se njëkohësisht janë njoftuar edhe ekipe mjekësore nga Qendra Emergjente, si dhe Brigada Zjarrfikësve të Ferizajt, të cilët edhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për shpëtim nga ekipet në vendin e ngjarjes, është bllokuar për qarkullim rruga ‘Ahmet Kaçiku’ dhe menjëherë mbikëqyrësi i ndërrimit ka filluar të negociojë me viktimën dhe ta bindë atë, që mos të kërcejë/bëjë vetëvrasje nga lartësia. Pas shumë përpjekjeve të mbikëqyrësit të ndërrimit Toger R.H, në ora 13:50 viktima është bindur dhe ka lejuar që të shpëtohet dhe të zbresë nga vinçi në tokë pa asnjë lëndim”, thuhet në njoftim.

Policia viktimën e ka shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, rasti është cilësuar “Vetëvrasje në tentativë”, ndërsa policia po vazhdon hetimet.

Të ngjashme