Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, një ditë para aksionit të madh të pastrimit të tokës, priti në takim një delegacion nga Estonia, të prirë nga ish Ministri i Mjedisit në Estoni dhe Presidentin e katërt të UNEA (United Nations Environmental Assembly), Siim Kiisler.
Ministri Matoshi para delagacionit estonez foli rreth sfidave që ka Kosova, në fushën e mjedisit dhe veprimet që ministria që ai drejton po i ndermerrë.
Ai tutje foli rreth aksionit të madh 3 mujor që vitin e kaluar ka organizuar Kosova, e për të cilin aksion shteti ynë mori çmim nderkombëtar.
“Kosova në shumë çështje të mjedisit po merr shembull Estoninë si shtet që ka arritur suksese të mëdha në mbrojtjen e mjedisit, në menaxhimin e mbeturinave dhe në sistemin e kthimit të depozitave, tha Matoshi.
Nga ana tjetër ish ministri Siim Kiisler, përgëzoi ministrin Matoshi dhe Kosovën për angazhimin e tyre për përmirësimin e gjendjes së mjedisit.
Ai po ashtu ofroi përkrahjen e shtetit të tij për Kosovën, në rrugën e zhvillimit të politikave progresive mjedisore.
Matoshi e Siim Kiisler në fund bënë thirrje që nesër qytetarët e Kosovës dhe shteteve tjera demokratike të marrin pjesë në aksionet e pastrimit të tokës.