Forcat e Armatosura në Bashkinë e Pukës kanë gjetur sot një arsenal armësh në të njëjtën zonë banimi ku një ditë më parë punonjësit e Bashkisë gjetën një predhë.
Ditën e sotme Ministria e Mbrojtjes ka dërguar një ekip të Forcave të Armatosura në bashkinë e Pukës për të kontrolluar zonën.
Gjatë kërkimeve dhe krehjes së zonës, xhenierët e Forcave të Armatosura zbuluan 40 granata dore difensive, 6 granata dore ofensive si dhe një granatë dore me bisht.
Nga verifikimet paraprake, dyshohet se këto municione të kenë dalë nga depot e FA dhe të jenë hedhur në zonë gjatë trazirave të vitit 1997, duke u shndërruar në një rrezik serioz për jetën e banorëve.