Nga Bashkim Kastrati
Prishtina vazhdon të përballet me reduktime të ujit të pijshëm. Disa lagje e kanë furnizim më të mirë, ndërsa disa lagje kanë reduktime më të mëdha, kjo varet se nga cili liqen ata furnizohen me ujë dhe se ne cilën pjesë të qytetit ndodhën.
Furnizimi me ujë 24 orë ka qenë premtimi kryesor i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti; por jo gjithçka varet vetëm nga komuna e Prishtinës. Kjo varet edhe nga investimet e Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë publike “KRU Prishtina”.
Zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm pritet të zgjidhet me ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj. Ndërtimi i kësaj fabrike është përcjellë me vështirësi, pengesa dhe polemika ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe kompanisë publike “KRU Prishtina”. Politizimi i kësaj të fundit ka nxitur këto përplasje.
Kryetari Ahmeti kishte kushtëzuar alokimin e një pjese të mjeteve financiare. Ai ka thënë se nuk do t’i alokojnë mjetet e premtuara për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj përderisa komuna nuk përfaqësohet nga një anëtar i saj në bordin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina”.
“Edhe kësaj radhe ne kërkojmë që ta kemi anëtarin e bordit nga Komuna e Prishtinës sipas ligjit në fuqi. Me ndryshimin për Ligjin për Prishtinën ne kërkojmë që të kemi më shumë anëtarë në bord sepse është e pakuptimtë që gjithë përgjegjësinë ta marrim, ndërsa mos të kemi kurrfarë pjese në vendimmarrje dhe të mos dimë se çfarë po ndodh e as kush çfarë po bën”, ka thënë Ahmeti.
Kohë pas kohe ka pasur raportime se janë ndërprerë punimet në fabrikën e ujit në Shkabaj, por këto i ka demantuar së fundi “KRU Prishtina” përmes një reagimi publik.
Në këtë reagim thuhet se punimet e ndërtimit të fabrikës së përpunimit të ujit në Shkabaj janë duke shkuar drejt finalizimit. Sipas kësaj kompanie, kjo fabrikë do të përfundojë në fund të muajit dhjetor të këtij viti, ndërsa testimet e rrjetit, shqyrtimet, komisionimet, pranimet teknike, pajisjet dhe marrja e lejeve për shfrytëzim, mbetet si një dy përqindësh i punëve totale, për pjesën e parë të vitit 2017.
“Faza e III-të e investimeve përfshinë investimin në Fabrikën e re të ujit të pijshëm në Shkabaj në vlerë prej 35 milionë euro. Ky projekt do i rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do jetë 700 litra për sekond me mundësi të rritjes së kapaciteteve edhe me 500 litra për sekond”, thuhet në komunikatën e “KRU Prishtina”.
Financues të këtij projekti janë Komuna e Prishtinës me 5 milionë euro, Komisioni Evropian me 5 milionë euro, Qeveria e Kosovës me 5 milionë euro dhe 20 milionë euro KRU ”Prishtina”, e cila i ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim dhe garantuese e kthimit për këtë kredi është Qeveria e Kosovës.
Projekti përmban këto komponente: Ndërtimi i Fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe ndërtimi i rrjetit të ri dhe stacionit të pompimit, që mundësojnë kyçjen e fabrikës së re të ujit në kanalin e Ibrit dhe në rrjetin tjetër ekzistues.
Sipas “KRU Prishtina” me realizimin e këtij investimi, që është planifikuar të përfundojnë deri në fund të vitit 2016, do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin, Podujevën dhe komunat tjera nën menaxhimin e KUR”Prishtina”. Gjithashtu do të ketë përmirësime të dukshme në largimin e ujërave të zeza dhe do të investohet në mbrojtjen efektive të burimeve nga ndotjet.
“Ndërtimi i kësaj fabrike gjithsesi e ndihmon qytetarin që të ketë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë por, në të njëjtën kohë e rritë mjaft koston e shpenzimeve operative prej mbi 1.5 milionë euro”, thuhet në komunikatë.
Në lidhje me dinamiken e realizimit të këtij projekti dhe pengesat që janë shfaqur kohë pas kohe, tesheshi.com ka kontaktuar dhe me zyrën për informim të Komunës së Prishtinës për të marrë përgjigje për këto çështje. Zyrtarët për informim të kësaj komune përmes emailit kanë thënë se në lidhje me këtë çështje t’i referohemi komunikatës së “KRU Prishtina”, të cilën e përmendëm me lartë.
Qytetarët: Furnizimi me ujë pa reduktime nevojë elementare
Qytetarët ankohen për mungesë të ujit sidomos gjatë sezonit të verës, ata thonë se institucionet përgjegjëse do të duhej shumë vite më parë që ta zgjidhin këtë problem, pasi që është domosdoshmëri dhe është gjë elementare që të ketë ujë pa ndërprerje.
Arianit Kajtazi thotë se uji i pijshëm në Prishtinë tash e sa vite ka mbetur problem i pazgjidhur. Ai thotë se uji i pijes duhet që të bëhet prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
“Uji i pijshëm është më i rëndësishëm sesa investimet tjera. Më i rëndësishëm është investimi në ujin e pijshëm sesa në asfalt. Shpresoj që me hapjen e fabrikës së re të ujit, të zgjidhet ky problem njëherë e mirë dhe mos të ketë reduktime asnjëherë. Është e pakuptueshme që kryeqyteti i Kosovës të mos ketë ujë të mjaftueshëm për pike gjatë gjithë kohës”, thotë Kajtazi.
Ndërsa Rexhep Ibrahimaj thotë se në afërsi të Prishtinës ka burime të mjaftueshme që mund të sigurojnë ujë të bollshëm për qytetarët e Prishtinës.
“Ujë të pijshëm ka mundësi që të ketë në Prishtinë. E kemi liqenin e Badovcit dhe Liqenin e Batllaves që kanë ujë të mjaftueshëm. Kur po mbushen shumë këto liqene, sërish po kemi reduktime sepse nuk po përballohet tërë ajo sasi e ujit. Kjo tregon se duhet investuar në makineri, sepse nuk është problemi tek burimet e ujit, siç kanë shumë vende tjera”, u shprej Ibrahimaj.