Një gjyqtar dhe një polic arrestohen për keqpërdorim të detyrës dhe marrje ryshfeti

Prishtinë | 26 Sht 2019 | 22:27 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se janë arrestuar dy persona me inicialet R.I. dhe B.G., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare” si dhe për veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

Prokuroria Speciale saktëson se personi i parë i arrestuar është Gjyqtar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Ndërkaq, personi i dytë i arrestuar është Polic i Kosovës, i cili dyshohet për veprën penale “Marrje të ryshfetit”.

Dy personat e dyshuar dhe tani më të arrestuar janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kompetent të njëjtëve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme.

Prokuroria Speciale për dy të arrestuarit do të bëjë kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi ka ardhur pasi Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) për pesë muaj ka zhvilluar hetime dhe ka aplikuar masat e përcaktuara sipas KPPRKS-së, nga hetuesit rajonalë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë, me ç’rast ka siguruar informacione relevante që kanë pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqësore, gjegjësisht veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.

“Gjatë aplikimit të masave dhe veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi të bazuara për inkriminimin e dy zyrtarëve; një gjyqtari në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Skenderaj dhe të një zyrtari policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Sonte me datë 26.09.2019, në orët e pasdites dy personat e dyshuar, gjyqtari dhe zyrtari policor janë arrestuar nga njësia rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë”.

Zyrtari policor menjëherë është suspenduar dhe në kuadër të veprimeve të mëtejme është njoftuar dhe përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Të ngjashme