Një grup qytetarësh protestojnë kundër mbylljes së rrugës “George Bush” nga Komuna e Prishtinës

Prishtinë | 14 Jan 2024 | 13:34 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dhjetëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për protestë nga “Vrojtuesit e Lagjes në Prishtinë”, me kërkesë që rruga “George Bush” në kryeqytet të lirohet për qarkullimin e veturave.

Protestuesit theksuan se bllokimi i kësaj rruge kryesore ka shkaktuar kaos nëpër rrugët e tjera në kryeqytet. Qytetarët po ashtu kërkuan edhe që kryetari Përparim Rama t’i pranojë ata në takim për të diskutuar për kërkesat e tyre.

Fatmir Muçolli, njëri prej protestuesve, shprehu pakënaqësitë në emër të protestuesve.

“Pse nuk është dikush i pranishëm këtu nga Komuna e Prishtinës? Pse nuk është këtu dikush i pranishëm nga Ministria e Infrastrukturës“, ka pyetur Muçolli.

Ramize Curri, banore e Prishtinës, tha se kryetari i Komunës, Përparim Rama, duhet t’i pyes qytetarët për këtë vendim, sepse qyteti nuk është vetëm i kryetarit.

“Kryeqyteti i Prishtinës është i krejt qytetarëve të Prishtinës, nuk është vetëm i Përparim Ramës. Le ta dijë Përparim Rama se për këtë qytet, edhe ne paguajmë tatime. Qytetarët nuk hanë barë. Le t’i pyet qytetarët a jemi të kënaqur me këtë vendim”.

Edhe ajo pati vërejtje pse askush nga Komuna e Prishtinës nuk ka ardhur këtu. “Pse i mbyll sytë Përparim Rama. Turp është kjo për një qytetar të qytetit”.

Hamit Hoti tha se kjo rrugë nuk është dashur të bllokohet, pa konsultime me qytetarët. “Është dashur të bëhen konsultime me qytetarë dhe të bëhen alternativa për mos mu blloku”.

“Jam banor i rrugës ‘George Bush’. Sot lagja po më përngjan me ditët e pasluftës si duket, e parregulluar, e papastër me mbeturina. Është mirë që qytetarët të konsultohen për ndryshimet dhe masën që do të ndërmerret”.

“Shumë qytetarë, shumë banorë në këtë rrugë kanë qenë të mbyllur, të ngulfatur, nuk kanë pasur qasje në banesat e tyre, nuk kanë qenë në gjendje më bë furnizimin për festa. Prandaj duhet një koordinim, një bashkëpunim i organeve komunale me qytetarët. Kjo rrugë duhet patjetër me u zhblloku dhe qytetarët me kalu lirshëm”, tha Hoti.

Asllan Bajrami tha se me këtë bllokadë, humbin mijëra orë, njerëzit vonohen në punë, derisa edhe ambienti përreth është degraduar.

“Nuk jam i organizuar, por qytetar i rëndomtë. Kam dalë për të treguar bashkëqytetarëve të mi për një budallallëk që e ka krijuar një kryetar, merre me mend arkitekt. Kur një arkitekt e krijon një gjendje kaotike, nuk kemi të bëjmë me çlirimin e qytetit nga ngarkesa e trafikut, po përfitim për para”.

“Ky zotëri sa më parë t’i heqë këto baraka. Nuk vendosen barakat në vende të hapura. Barakat mund të vendosen atje te sheshi ‘Zahir Pajziti’, deri te ‘Skënderbeu’ dhe ‘Ibrahim Rugova’. Me këtë bllokadë humbin mijëra orë, njerëzit vonohen në punë”.

“Aq i ndotur është ky ambient dhe nuk ke ku të lëvizësh, e Përparim Rama del dhe na shet mend në kran”, u shpreh Bajrami.

Në paralajmërimin e protestës shkruhej: “Ne organizojmë një protestë thelbësore për hapjen e rrugës ‘Xhorxh Bush’, një rrugë e cila mund të hapet lehtësisht duke i larguar betonat që e mbyllin. Thirrja është e hapur për çdo individ të lodhur nga këto praktika të kryetarit të komunës tonë”.

“Përparim Rama premtoi se rruga do të mbyllej vetëm për një test 1-javor, pastaj tha se do të ishte e mbyllur vetëm për trafikun urban, duke lejuar kalimin e autobusëve dhe taxit. Megjithatë, realiteti është një varg gënjeshtrash pas gënjeshtrash, duke mbyllur rrugën përfundimisht. Kërkojmë një Prishtinë më të lirë dhe të përshtatshme për të gjithë. Ju lutemi, bashkohuni për një qytet më të mirë dhe më të hapur”.

Vetëm një ditë më parë, është bërë edhe prezantimi i projektit për transformimin e bulevardit “George Bush” në kryeqytet. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se Bulevardi i kryeqytetit do të shndërrohet në një hapësirë urbane bashkëkohore e cila sipas tij reflekton nevojat e qytetarëve, promovon një stil të jetës së shëndetshme, më shumë gjelbërim e ajër të pastër.

LEXO EDHE:

Rama prezanton planin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, këto janë ndryshimet që do të bëhen

Të ngjashme