Një grup sekret i trajnuesve ushtarakë amerikanë ndodhen në Tajvan

Prishtinë | 08 Tet 2021 | 08:36 | Nga Ekonomia Online

Sipas një raporti të ri, Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur një grup sekret të trajnuesve ushtarakë në Tajvan për së paku një vit. Kjo është shenja më e re e rritjes së tensioneve në rivalitetin mes ShBA-së e Kinës.

Gazeta e njohur amerikane, “The Wall Journal”, raportoi të mërkurën se mbi njëzet ushtarë të forcave speciale amerikane janë duke i trajnuar forcat tajvaneze. Thuhet se ata së pari janë dërguar në Tajvan nga administrata e Trumpit, por prania e tyre nuk është raportuar deri tash.

Raporti publikohet në kohën kur Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, të premten tha se vendi i saj “do të bëjë gjithçka që nevojitet për t’i mbrojtur lirinë dhe mënyrën e vet demokratike të jetesës”.

“Tajvani nuk kërkon përballje ushtarake. Ai shpreson për bashkekzistencë me përfitime reciproke, bashkekzistencë paqësore, të qëndrueshme e të parashikueshme, por Tajvani gjithashtu do të bëjë gjithçka që nevojitet për t’i mbrojtur lirinë dhe mënyrën e vet demokratike të jetesës”, tha ajo në një forum të sigurisë në Taipei, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Një zëdhënës i Pentagonit, John Supple, nuk komentoi drejtpërdrejt për këtë raportim, por theksoi se “përkrahja jonë për Tajvanin dhe marrëdhënia në fushën e mbrojtjes me Tajvanin mbeten të rreshtuara kundër kërcënimit të tanishëm” nga Kina.

Ministria e Jashtme e Kinës lëshoi një deklaratë duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’ia ndalin ndihmat ushtarake Tajvanit. “Kina do t’i marrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’i mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial”, thuhet në deklaratë.

Të ngjashme