Një grup i refugjatëve afganë të cilët ishin strehuar përkohësisht në Kosovë sot janë nisur për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane në Prishtinës, përmes një postimi në Facebook, e cila ka falënderuar Kosovën për bujarinë dhe mikpritjen.
“Sot pas përfundimit të të gjitha kërkesave të verifikimit dhe atyre mjekësore, një grup tjetër i të evakuuarve afganë u nis nga Kosova për në SHBA. Falë bujarisë dhe mikpritjes së Kosovës, afër 600 afganë të pritur më parë në Kampin Liya, janë larguar për të filluar një jetë të re më familjet e tyre në SHBA. Faleminderit Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, vitin e kaluar, Kosova pranoi mbi 1,200 shtetas afganë, të cilët ikën nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin mbi këtë shtet.
Shumica prej tyre gra dhe fëmijë të personave të cilët duhej të kalonin nëpër procese shtesë të verifikimit, para se t’iu mundësohet zhvendosja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Qytetarët afganë që erdhën në Kosovë, ishin kryesisht bashkëpunëtorë të NATO-s dhe forcave të tjera aleate që prej fillimit të luftës në Afganistan në vitin 2001.