Një hafiz nga Bosnja shpërblehet me titull bote në jiu-jitsu

Prishtinë | 27 Maj 2018 | 14:08 | Nga

Teksa turma brohoriste dhe duartrokiste nga tribunat, Almir Kapiq ra me gjunjë në tokë, duke mos mundur të mbajë lotët nga gëzimi.

38-vjeçari nga Bosnjë-Hercegovina sapo ishte kurorëzuar me titullin e kampionit “Ultra Heavyweight” në kampionatin botëror profesionist në jiu-jitsu, i cili muajin e shkuar u mbajt në Abu Dhabi, shkruan “Al Jazeera”.

Derisa qëndronte në podium, Kapiq ishte shumë i emocionuar dhe me krenari e mbante në shpinë flamurin e shtetit të tij.

“Nuk mund të besoja… Fillova të qaj nga gëzimi”, thotë Kapiq pas triumfit në Abu Dhabi.

Në fund, ai thotë se stërvitjet rraskapitëse dhe vitet e këmbënguljes e sakrificave të mëdha, iu shpaguan. Kapiq ndihet krenar për arritjen e tij, ndonëse ende nuk mund të besojë se është bërë më i miri në botë në jiu-jitsu.

“E kam arritur atë që kam ëndërruar në botën e jiu-jitsu, të bëhem kampion bote. Gjithmonë kam ëndërruar një gjë të tillë dhe për këtë arsye kam stërvitur me përkushtim, me gjithë vështirësitë që i kam pasur”, thotë Kapiq.

Lufta dhe fëmijëria e vështirë

Për luftëtarin e arteve marciale, rrugëtimi ishte shumë i gjatë për të arritur deri në majë të botës. Ai vjen nga qyteti i vogël Banoviqi, kurse vitet e tij të fëmijërisë kanë qenë të vështira për shkak të luftës së përgjakshme që kaploi Bosnjën në fillim të viteve të 90-ta.

Kapiq ishte 13-vjeçar kur babai i tij u qëllua dhe u vra nga një snajper serb në fillim të luftës që zgjati gati katër vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme