Prej se janë në opozitë, partitë opozitare, sidomos PDK dhe LDK, janë dalluar për një gjë, se cila prej tyre, po i shërben më mirë pushtetit dhe qeverisë. Secila nga to duket se kanë qenë në rivalitet ndërmjet vete se kush do jetë partneri i ardhshëm qeveritar i partisë në pushtet. Mbase, kjo sjellje e tyre mund të jetë e kushtëzuar edhe nga frika dhe kalkulimi i gabuar i drejtueseve të tyre, se duke ndërtuar politika rezistuese alternative ndaj pushtetit mund të humbin edhe më shumë vota.
Mirëpo, saktësisht është e kundërta. Ato nuk mund të fitojnë, pikërisht duke u bërë Alter ego i Albin Kurtit. Sepse qytetarët e Kosovës nuk kanë arsyeje ta votojnë kopjen politike të pushtetit, por e votojnë origjinalin. Bie fjala, çfarë kuptimi ka sot të votohet PDK-ja, kur kryetari i saj Memli Krasniqi, në seancë plenare ia shpreh hapur dashurinë e pakusht “politiko-romantike” kryeministrit, duke i thënë se krejt PDK-ja, janë më ty o lideri ynë! Apo ta votojnë LDK-në, se do t’i restaurojë raportet me aleatet, kur kryetari i saj Lumir Abdixhiku, ka dëshmuar se më shumë se mirëmbajtjen e këtyre raporteve ai e ka interes personal se si të përshtatet me disponimin momental të popullit, duke u strukur si struci, edhe kurë rrezikohen këto marrëdhënie, si dhe si të jetë konform me mentorën e tij politike dhe ideologjike, presidenten e vendit. Dhe kjo po vërtetohet dita ditës.
Megjithatë, kjo sjellje, po ashtu mund të jetë e motivuar edhe nga shkaqe tjera. Krahas shantazhit që mund ta kenë, ato nuk janë të interesuara që të fitojnë. Dhe kjo, jo aq për shkak se nuk dëshirojnë të marrin përgjegjësi për fazën kritike në të cilën ndodhet Kosova sa i përket temës së dialogut me Serbinë. Por, sepse klanet e tyre drejtuese janë të interesuara që më shumë ta ruajnë dominimin e tyre partiak se sa ta sfidojnë hegjemoninë e pushtetit aktual. Ngase kjo e dyta do të nënkuptonte hapjen e tyre. Diçka që mund të t’ua rrezikonte pozicionet e tyre biznesore dhe partiake. Merrni shembullin e Klanit Bon Vivant. Krejt projeksioni i tyre politik është klientelist. Që nesër me klientelën e tyre shoqërore si të kthehen në pushtet, madje edhe me 10% të bazës elektorale. Por këtë qëllim ata mund ta realizojnë vetëm duke i dëmtuar interesat e gjëra dhe afatgjata të bazës partiake. Sepse, pjesa më e madhe e kësaj baze buron nga rezervuari i rezistencës ndaj çdo pushteti. Prandaj, ajo nuk mund të pajtohet që tash të shndërrohet në instrument politik dhe ideologjik të një klani të errët kripto-financiar, që të vetmin qëllim e ka, si të jetë sa më komod nën çadrën politike të pushtetit aktual.
Kështu, në mungesë të kësaj force inherente antagoniste kundërshtuese, ky substrat politik shkapërderdhet dhe dekompozohet. Tashmë këtë rënie të pashmangshme partiake, por ngritje klanore dhe individuale, e vërteton edhe hulumtimi i fundit i opinionit publik.