Një i vrarë e dhjetëra të plagosur në protestat e Irakut

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Policia irakiane përdori armë të zjarrit kundër protestuesve në një autostradë të Bagdadit, duke e vrarë një person dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Përleshja në autostradën “Mohammed al-Qassim” shpërthyen kur policia e filloi përpjekjen për t’i larguar protestuesit nga rruga që e kishin bllokuar. Protestuesit dogjën goma dhe hodhën koktej molotovi në drejtim të policisë.

Policët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe me të shtëna. Së paku 14 protestues pësuan lëndime të mesme dhe të rënda, ndërsa një person vdiq pasi u godit në kokë me një bombol të gazit lotsjellës.

Në anën tjetër, kryeministri në largim, Adel Abdul-Mahdi, e dënoi sulmin me raketa në Zonën e Gjelbër, ku është i vendosur kompleksi qeveritar, dhe kërkoi hetime për këtë incident.

Protestuesit po kërkojnë largimin e qeverisë dhe shërbime më të mira publike, përfshirë furnizimin me rrymë dhe ujë dhe luftimin e korrupsionit, shkruan “France24”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme