Real Madridi po futet në një javë që mund të definojë stinorin për të, shkruan “Marca” të martën.
Pas humbjes si mysafir i Levantes, Reali përballet me dy ndeshje të mëdha në “Santiago Bernabeu”. Do të përballet të mërkurën mbrëma në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt e më pas në fundjavë e pret Barcelonën në La Liga, në derbin e famshëm El Clasico.
Është situata e ngjashme në të cilën u gjet Reali këtë periudhë vitin e kaluar. Atëbotë djelmoshat e udhëhequr nga Santiago Solari kishin garuar në tri fronte brenda një jave.
Së pari, u eliminuan nga Kupa e Spanjës nga Barcelona, më pas iu shuan shpresat për titull në La Liga nga Barcelona po ashtu dhe kulmi ishte turpërimi dhe eliminimi në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve nga Ajaxi.
Të tri ndeshjet Reali i luajti në shtëpi vjet.
Pasi mori tri goditje në një javë në shtëpi të vet, Solari u shkarkua vetëm një ndeshje më vonë. Në vend të tij u kthye Zinedine Zidane.
Tash, me Realin e eliminuar nga Kupa e Spanjës, klubi madrilen mund të shoh shpresat për titull në La Liga dhe sukses në Evropë të shuhen brenda pesë ditëve.
Reali është në një situatë të brishtë në La Liga pasi lëshoi pesë pikë në dy ndeshjet e fundit, kundër Celta Vigos dhe Levantes. Reali zë vendin e dytë dhe është dy pikë prapa Barcelonës që kryeson.
Një humbje nga Barcelona e drejtuar nga Quique Setien, të dielën në Bernabeu, do ta linte Realin me një disavantazh prej pesë pikëve, 12 xhiro para fundit.
Mirëpo, Real Madridi e di se Liga e Kampionëve do të ofronte një motiv të madh nëse arrinë të marrë rezultat të mirë nga ndeshja e parë kundër Cityt të Pep Guardiolas të mërkurën.
Shtatë ditët e ardhshme vendosin fatin e stinorit për Realin. Te Reali shpresojnë të kenë fat më të mirë se stinorin e kaluar.Koha.Net.