Dardan Berisha ka qenë në zemër të “bumit” të basketbollit në Kosovë, që po kalon nga një moment historik në tjetrin. Kështu ka shkruar të hënën sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA), në një artikull që ia ka kushtuar kapitenit të Kosovës dhe liderit të skuadrës Z Mobile Prishtina.
Përmes fundorit Berisha është paraqitur edhe suksesi i Prishtinës në FIBA Europe Cup. Prishtina për herë të parë po luan në fazën e dytë grupore të FIBA Europe Cup, shkruan sot Koha Ditore.
Berisha vlerëson mundësinë unike për të qenë njeriu që ndikon në rritjen e sportit të basketbollit në vend. FIBA ka shkruar se Berisha pasi ka udhëhequr Kosovën në parakualifikimet për botërorin 2019, ka vazhduar të bëjë histori me Prishtinën, duke qenë lider i saj në fushatën më të suksesshme ndërkombëtare.
Së fundi fundori Berisha ka udhëhequr Prishtinën drejt fitores ndaj skuadrës Szolnoki Olaj. Ishte kjo fitorja e parë e Prishtinës në fazën e dytë të FIBA Europe Cup.