Një lajm i mirë për Kosovën, çmimi i energjisë elektrike ka rënë ndjeshëm

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Gjatë këtij viti, posaçërisht në muajin gusht, Kosova ishte përballur me një nga vështirësitë më të mëdha që nga koha e pavarësisë e që ishte mungesa e energjisë elektrike.

Si pasojë e kësaj, kishte reduktime të rrymës, 6 orë me rrymë dhe 2 orë pa rrymë, raporton Paparaci.

Për shembull, të gjitha shtetet në rajon dhe Evropë paguanin me qindra euro veç për një megavat orë, që t’i siguronin qytetarët me energji elektrike, gjatë asaj kohe.

Nëse marrim rastin e Kroacisë dhe Serbisë që janë pjesë e rajonit tonë, meqenëse Kosova nuk figuron në faqen e cila tregon qartë çmimet e blerjes së energjikë elektrike, atëherë vetëm për datën 29 gusht, këto dy vende kanë paguar 749 euro, respektivisht 699 euro për megavat orë (MWh).

Krahasuar me periudhën me të cilën gjendemi, atëherë shohim se gjendja është përmirësuar dhe çmimi i energjisë elektrike ka rënë në shifra goxha të ulëta.

Rrjedhimisht, çmimet e energjisë në berzat ndërkombëtare janë më të ulëta dhe stabile se ç’kanë qenë.

Lëvizjen e tyre e ka shkaktuar fillimisht COVID-19, ndërsa hov të madh kanë marrë edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

Por, sipas ueb-faqes euenergy.live, e cila ofron qasje falas në çmimet më të fundit të energjisë elektrike në Evropë, shihet se nëse e krahasojmë periudhën verore me atë të tashme shifrat janë jashtëzakonisht të dallueshme.

Kësisoj, për datën 31 tetor, Kroacia dhe Serbia mund të blejnë energji elektrike me një çmim prej 149 euro dhe 145 sosh.

Megjithatë, në Kosovë është paralajmëruar një dimër i vështirë për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit. Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Pavarësisht ndihmesës me import, qytetarët janë përballur shpesh me reduktime të rrymës, sidomos në dhjetor – për çka ekspertët e çështjeve energjetike kanë fajësuar autoritetet vendimmarrëse për, siç kanë thënë, mungesë strategjish.

Të ngjashme