Një mijë e 230 pacientë të shtrirë për një muaj në Spitalin e Pejës

Prishtinë | 08 Dhj 2018 | 10:05 | Nga Ekonomia Online

Stafi mjekësor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, gjatë muajit nëntor i ka pasur duart përplot punë, për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta të qytetarëve për shërbime mjekësore.

Gjatë muajit të kaluar në këtë spital, përveç shërbimeve të tjera të ofruara në repartet e tij, për trajtimin e nevojshëm mjekësor janë shtrirë 1 mijë e 230 pacientë, prej të cilëve 695 nga Komuna e Pejës, 139 pacientë nga komunat Deçan – Junik, 145 nga Komuna e Klinës, 180 pacientë nga Istogut dhe të tjerët nga komunat e tjera të vendit.

Sipas zëdhënësit të këtij spitali, Naim Sahiti, gjatë muajit nëntor janë kryer 251 operacione dhe nga ky numër 154 janë bërë me anestezi. Nga ky numër në Repartin e Kirurgjisë janë kryer 91 operacione, Gjinekologji me Obstetrikë 60 operacione, ORL 38 operacione, Urologji 30 operacione, Ortopedi 25 operacione, dhe Oftalmologji 7 operacione.

Sipas Sahitit, gjatë muajit nëntor kanë qenë 130 lindje dhe nga këto 47 ishin me prerje cezariane, ndërsa kanë lindur 130 foshnja, prej të cilave 71 të gjinisë mashkullore dhe 60 të gjinisë femërore. Të transferuar në spitale të tjera kanë qenë 44 pacientë, derisa gjatë nëntorit në këtë spital kanë vdekur 30 pacientë. Edhe dhuruesit e gjakut nuk kanë munguar gjatë muajit të kaluar në këtë spital. Gjithsej 167 qytetarë kanë dhuruar gjak në Njësinë e Transfuzionit të Gjakut në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, derisa laboratorët në këtë spital ka kryer 87 mijë 795 analiza të ndryshme të 6 mijë e 208 qytetarëve të udhëzuar për analiza.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme