Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që gjuajti me shishe birre në drejtim të një personi dhe lëndoi veten me armë

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 17:18 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit L.K, i dyshuar se gjuajti me shishe birre në drejtim të një personi në lokal dhe pasi e nxori armën e lëndoi veten e më pas kanosi zyrtarët policorë gjatë intervenimit.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se vendimin e mori gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij vendimi, masa e paraburgimit, të dyshuarit do t’i llogaritet nga koha e arrestimit 31 janar 2022 dhe mund të zgjasë deri më 1 mars 2022.

Sipas gjykatës, me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, është vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe nga provat e mbledhura ekziston dyshimi se i njëjti ka kryer tri veprat penale për të cilat dyshohet.

“Deri më datë 31 janar 2022, në kundërshtim me ligjin mbi armët mbanë në posedim armën – pistoletën e tipit “Glock 17” Austria,, dhe gjashtëmbëdhjetë (16) fishekë të kalibrit 9mm të vendosur në karikator”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se më 31 janar 2022, në orët e mbrëmjes në Prizren, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që derisa ishte duke qëndruar në lokal, gjuan me shishe birre në drejtim të një personi në lokal dhe nxjerrë pistoletën nga brezi, ku ndërhynë pronari duke kërkuar ta lëshojë armën,

Me ç‘rast thuhet se arma shkrep dhe vetë i pandehuri lëndohet në gishtin tregues të dorës së majtë dhe në këmbën e majtë, me çka në vend publik shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve.

“Më datë, vend dhe kohë të njëjtë si më lart me rastin e intervenimit të zyrtarëve policorë, i njëjti ka shfaqur rezistencë aktive dhe me rastin e vendosjes së prangave i është kanosur zyrtarit policor – të dëmtuarit, duke iu drejtuar me fjalët “ju njoh të gjithëve, ………., kam me ju vra”, i cili edhe pas trajtimit mjekësor ka përsëritur kërcënimet e njëjta”, thuhet tutje në njoftim.

Me këto, L.K dyshohet për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.1, dhe “Kanosja” nga neni 181, par. 1 të Kodi Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas gjykatës, me rastin e caktimit të paraburgimit është marrë parasysh fakti se procedura penale është në fazën fillestare dhe me qëndrimin e të pandehurit në liri, ai mund arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, për shkak të natyrës së rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet

“Gjithashtu duke marrë parasysh peshën e veprave penale, faktin se kemi të bëjmë me të pandehurin i cili në vend publik, në prezencën e qytetarëve, ka ndërmarrë veprimet kundërligjore, me çka ka rrezikuar jetën e njerëzve. Po ashtu i pandehuri pas gjithë këtyre veprimeve nuk është nënshtruar urdhrave të zyrtarit policor me rastin e prezantimit në vendin e ngjarje, me ç’rast edhe të njëjtin ka kërcënuar, po ashtu raportet e acaruara me pronarin e lokalit, të gjitha këto e arsyetojnë dyshimin se i pandehuri me lënien në liri mund të përsërisë veprat penale të kësaj natyre pasi që në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime kundërligjor, këto veprime tregojnë vendosmërinë e tij për kryerjen e veprave penale, kjo tregon rrezikun se i njëjti mund të përsëris veprat penale, prandaj caktimi i masës së paraburgimit nga kjo bazë ligjore është i bazuar dhe domosdoshëm për zhvillimin e rregull të procedurës penale”, thuhet në fund të njoftimit.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, por ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme