Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit D.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: vjedhje e rëndë.
Gjyqtari i procedurës – Fidan Hoxha, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 07.02.2021 deri me datën 08.03.2021.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit D.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
- Me datë 07 shkurt, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, të pandehurit D.K., (dhe K.P., i cili është në arrati), në një lokal – furrë, marrin pasurinë e luajtshme dhe atë një arkë të bamirësisë, në atë mënyrë të pandehurit duke shfrytëzuar momentin e volitshëm, kur në lokal nuk ishte askush, dëmtojnë derën e pasme, hyjnë brenda dhe marrin arkën e bamirësisë, ku në te ishin para metalike, e më pas largohen nga vendi i ngjarjes, me ç`rast shkaktojnë dëme materiale,
- Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje posa kanë filluar, si dhe duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat ne të cilat është kryer kjo vepër penale nga të pandehurit, pasojat e kësaj vepre penale, sjellën e mëparshme të të pandehurit D.K., i cili është edhe kryerës i veprave tjera penale tregojnë rrezikun e përsëritjes së kësaj vepre apo ndonjë vepër edhe më të rëndë.
Gjykata, duke vendosur lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit i morri parasysh edhe masat tjera alternative, por gjykata aprovoi në tërësi propozimin e prokurorit për caktimin e paraburgimit me që nuk gjeti baza ligjore ose funksionalisht të rregullta për procedurën penale që të caktoj ndonjë masë më të butë të sigurimit të prezencës së të pandehurit në këtë rast çdo masë tjetër që do të caktohej për këtë rast më e butë do të ishte në kundërshtim me natyrën e zhvillimit të hetimeve penale dhe rrezikun e përsëritjes së veprave tjera penale.