Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit M.D, i cili dyshohet se në vitin 2013 kishte shkuar në Siri dhe i ishte bashkuar organizatave terroriste.
Përmes një njoftimi për media, kjo Gjykatë ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurit M.D.
“Të pandehurit M.D i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.D që nga muaji mars të vitit 2013, kishte shkuar nga Gjermania përmes rrugëve të ndryshme në Republikën arabe të Sirisë dhe i është bashkuar organizatave të ndryshme, organizata këto të shpallura si organizata terroriste nga ana e Kombeve të Bashkuara”, është thënë në njoftim.
Sipas Gjykatës Themelore të Prishtinës, masa e paraburgimit kundër të pandehurit M.D “është masë adekuate dhe se pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi.
Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për terrorizmin në botë për vitin 2017 është thënë se rreth 200 qytetarë të Kosovës, vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, duke përshirë edhe shumë fëmijë të lindur atje.