Një muaj paraburgim për të miturin që vrau 15 vjeçarin në Prizren

Prishtinë | 20 Jan 2021 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim për të miturin J.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: vrasje e rëndë. Masa do të llogaritet prej datës 18.01.2021 deri me 17 shkurt.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të miturit J.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Në ditën kritike, i mituri J.K., e privon nga jeta të dëmtuarin L.B., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje që kishte me viktimën pasi që dalin nga shkolla dhe në afërsi të internetit kafes fillon përleshja në mes tyre, me ç’rast i mituri e nxjerr thikën dhe e godet në regjionin e gjirit të majtë dhe si pasojë e cilës fëmija L.B., ndërron jetë”, thuhet në njoftim.

Njoftohet gjithashtu se gjyqtarja për të mitur ka shqyrtuar edhe masat tjera alternative për sigurimin e prezencës së të miturit, mirëpo ka ardhur në përfundim se të njëjtat nuk janë të mjaftueshme dhe të sigurta për sigurimin e prezencës së të miturit në procedurë deri në sqarimin e rrethanave.

“Ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë e posaçërisht kur procedura përgatitore në këtë çështje penale është në fazën fillestare, si dhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale, pasojat të cilat i kanë këto veprime antiligjore, rrezikshmërinë dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, sjelljet e tij, shqetësimi tek qytetarët që janë duke shkaktuar këto vepra penale në mjediset publike, e veçanërisht në ambientet e shkollës apo në afërsi të saj, ku në vend të edukimit dhe shkollimit të mirëfilltë, këto veprime të nxënësve të shkollës po i japin shembull të keq shoqërisë se si nuk duhet të veprojë një nxënës, e të cilat po krijojnë një pasiguri të madhe në komunitetin dhe në mesin e qytetarëve për jetën e fëmijëve të tyre, andaj sipas konstatimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i bazuar me ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës përgatitore dhe sigurimin e prezencës së të miturit”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme