Kur bëhet fjalë për sulmet e vazhdueshme të Izraelit në jug të Libanit, një analist i mbrojtjes thotë se Irani po e shfrytëzon situatën për të krijuar përçarje mes dy aleatëve të ngushtë, SHBA-së dhe Izraelit.
“Unë mendoj se Irani po e përdor Libanin si mjet për të thelluar ndasitë mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, ose më saktë mes qeverisë së Netanyahut dhe administratës Trump,” tha Wolfgang Pusztai.
“Sigurisht, Irani synon ta ndalë ofensivën izraelite në jug të Libanit. Por Teherani, Bejruti, Hezbollahu, Izraeli dhe edhe presidenti Trump e dinë se kjo nuk është shumë reale. Izraeli do të kundërpërgjigjet nëse sulmohet.”
Sipas Pusztait, për momentin Izraeli do të përmbahet që të mos dëmtojë përpjekjet e Trumpit, por do të reagojë ushtarakisht nëse e sheh të nevojshme.
“Dhe, siç thashë, për Teheranin gjëja më e rëndësishme është se kjo paraqet një mundësi të madhe për të përçarë aleancën mes Uashingtonit dhe Tel Avivit. Pikërisht këtë synon të arrijë Irani në këtë fazë.”, tha ai.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se nuk ka asnjë kufizim që e pengon ushtrinë izraelite të veprojë kundër kërcënimeve në jug të Libanit, ndërsa trupat izraelite vazhdojnë të qëndrojnë në të ashtuquajturën “zonë sigurie”.
Sulmet ajrore izraelite vranë dhjetëra persona në Liban të shtunën, vetëm një ditë pasi hyri në fuqi armëpushimi me Hezbollahun, grupin e mbështetur nga Irani, pas muajsh përshkallëzimi të dhunës.
“Armëpushimi i shpallur dje e lë ushtrinë në të gjitha pozicionet brenda zonës së sigurisë, e cila mbron komunitetet në veri,” tha Katz.
“Nuk ka pasur kurrë dhe as tani nuk ka asnjë kufizim për ushtarët në Liban që të veprojnë për të eliminuar kërcënimet. Siç e kemi bërë të qartë unë dhe kryeministri Benjamin Netanyahu, Izraeli nuk do të tërhiqet nga zona e sigurisë në Liban.”
Deklaratat e Katzit vijnë pasi Irani paralajmëroi se nuk do të hyjë në bisedime për një marrëveshje më të gjerë me Uashingtonin, përderisa Izraeli nuk i jep fund luftës në Liban.
/AlJazeera/