Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka folur për ndërprerjen e punimeve në rrugën Mitrovicë – Prishtinë, ku tha se kjo ishte shqetësuese pasi në javët e fundit kishte intensitet të punës.
Ai tha se nesër do të kontaktojnë me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe do të kërkojnë arsyet nga ana e ministrisë për ndërprerjen e punimeve.
“Do t’i pyesim kur do të rifillojnë se për çfarë janë ndalur punimet u informuam nga mjetet e informimit, pra, arsyeja është mos-pagesa e punëve të kryera.
“Nuk dua të paragjykoj qëllimet e ndërprerjes së punimeve pasi s’e kam informatën e plotë. Kam dashur të besoj se kjo rrugë do të përfundojë në bazë të afatit sepse javët e fundit ka pasur një dinamizëm të punëve nga kompanitë por me ndërprerjen sot i humbëm shpresat pak”, është shprehur Idrizi në “Edicioni Special në Klan Kosova.
Ai foli edhe për kohën se sa bëjnë qytetarët për të ardhur në Prishtinë nga Vushtrria në pikun e ditës.
“Në pikun e ditës, nga Vushtrria kur ka shumë automjete nganjëherë për të ardhur në Prishtinë bëjmë edhe mbi një orë, gjë që nuk do të merrte më shumë se 20 minuta”, është shprehur Idrizi, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, sipas menaxherit të projektit të kësaj rruge, Agron Krasniqi, deri te ky vendim erdhi për shkak se ende nuk i kanë marrë pagesat për punën e kryer që nga dhjetori i vitit të kaluar, teksa faj i la kompanisë konsulente të kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës.