Muri i Mitrovicës është përmendore e dështimit të një shteti. Është simbol i dështimit të një ideje për shtet sovran e shoqëri të lirë. Është përmendore turpi dhe triumfi të marrëzisë
Nëse e keni dëgjuar Edita Tahirin të thotë se muri që po ndërtohet në veri të Mitrovicës do të rrënohet shpejt, dijeni se ashtu nuk do të ndodh asnjëherë. Nëse e keni dëgjuar Isa Mustafën të thotë se çështjen e murit do ta trajtojë ligji, dijeni se nuk ka thënë asgjë. Këto janë vetëm deklarata për konsum të brendshëm dhe është pak e besueshme që të zbatohen në praktikë.
Muri i Mitrovicës nuk është gjë tjetër veç betonizim i ndarjes në veriut nga pjesa tjetër e Kosovës. Gjatë 17 vjetëve atje është krijuar realitet i ri, sipas planit të Beogradit, duke bërë që autoritetet shtetërore të Kosovës të mos pranohen asnjëherë nga qytetarët. Për 17 vjet me radhë serbët kanë bërë çfarë kanë dashur atje, pa pasur frikë se do të ndëshkohen nga kush. Ata kanë sfiduar institucionet shtetërore të Kosovës, ndërkohë që kanë vazhduar të funksionojnë brenda sistemit të Serbisë.
Muri që është ndërtuar në Mitrovicë duket të jetë pjesë e ujdive të Brukselit, që nuk janë bërë transparente ndonjëherë. Sikurse shumë herë të tjera deri më tash, serbët kanë krijuar realitete, të cilat Prishtina duhet t’i pranojë, sepse nuk ka si të veprojë ndryshe. Qeveria pa integritet e legjitimitet nuk kanë se si të garantojnë integritet e sovranitet të vendit.
Sikurse barrikadën që e quanin “park i paqes”, për murin serbët po thonë se do të kthehet në një lloj amfiteatri. Një ndarje “kreative” e qytetit.
Muri edhe mund të zvogëlohet, mund t’i vendosen edhe shkallë, por ai simbolizon murin e ndarjes, murin e turpit, murin e dështimit. Murin që sfidon shtetin.
* * *
Muri në Mitrovicë simbolizon dështimin. Dështimin e institucioneve të Kosovës, por edhe të institucioneve ndërkombëtare. Muri është rezultat i bisedimeve në Bruksel. Nëse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur dhe është zhvilluar me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe mundësimin e lëvizjes së lirë, ndërtimi i murit synon krejtësisht të kundërtën. Muri ndan edhe më shumë qytetarët, pengon edhe më shumë lëvizjen e lirë, cenon edhe më shumë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka qenë në dijeni për këtë mur. Ndryshe do të reagonte menjëherë, e jo disa ditë pas, atëherë kur nisën reagimet gjithandej. Kushdo që ka pranuar një zgjidhje të tillë për qytetin e ndarë, duhet të jep përgjegjësi. E bisedimet i ka udhëhequr Edita Tahiri, me bekimin e Isa Mustafës.
Të shtiresh sot se nuk di çfarë paska ndodhur në Mitrovicë, ndërkohë që vetë ke negociuar me serbët, është idiotësi. Idiotësi është, po ashtu, që për një çështje ekskluzivisht të brendshme, siç është rivitalizimi i urës në Mitrovicë, të diskutosh në Bruksel me përfaqësues të Beogradit. Ndërkaq, është edhe më idiotes-ke që të shohësh ngritjen e një muri si zgjidhje të problemit, në kohën që qytetarët presin që rivitalizimi i urës mbi Ibër t’ua kthejë lirinë e munguar të lëvizjes, t’ua kthejë normalitetin e jetës – aq sa mund të quhet normale një jetë në frikë e pasiguri.
Kryeministri Isa Mustafa përmendi zbatimin e ligjit në rastin e murit të Mitrovicës, por ligjin nuk e përmend kur bëhet fjalë për shtirjen e sovranitetit deri në pikën e fundit veriore të kufirit të shtetit. Ligjin nuk e përmend as kur bëhet fjalë për funksionimin e shtetit të Serbisë në të gjitha mjediset ku jetojnë serbët në Kosovë.
Me ligjin nuk merret as kur ministrat serbë të kabinetit të tij qeveritar e injorojnë atë, nuk e respektojnë Republikën e Kosovës dhe punojnë në llogari të Beogradit, por me përfitime e privilegje të majme nga shteti i Kosovës.
Se për çfarë zbatimi të ligjit bëhet fjalë, Mustafa ka pasur rastin ta provojë vetë para pak ditësh, kur një grup serbësh nuk e lejuan të shkojë në veri. Në vend që të merret seriozisht me këtë çështje, ai u mor me mënyrën e raportimit të mediave, të cilat i fajësoi pse kishin njoftuar për pengesat që i ishin bërë. Me rëndësi për të, siç e tha, ishte se kishte mbërritur në cak, ndonëse nëpër rrugë dhish.
* * *
Do të zhgënjehen ata që mendojnë se muri do të largohet. Ai edhe mund të modifikohet, sa për t’i ulur gjakrat e hedhur hy syve qytetarëve, por muri do të qëndrojë aty, si një përmendore turpi e triumfi të marrëzisë. Sepse ashtu e kanë dashur ata që na kanë udhëhequr gjithë vitet e pasluftës. Ata që e kanë parë veriun më shumë si mundësi përfitimi nga kontrabanda e paligjshme e pazaret e ndyta, sesa si pjesë integrale të Kosovës. Andaj ata sot heshtin. Heshtin për turpin e tyre. Heshtin për murin e turpit.