Një person ka vdekur e mijëra të tjerë janë prekur nga gripi sezonal në Kosovë

Prishtinë | 13 Jan 2020 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Rreth 12 mijë persona janë diagnostikuar si të prekur nga gripi sezonal në Kosovë në javët e fundit. Nga ta një person i moshuar ka ndërruar jetë si dhe një tjetër është i hospitalizuar pranë Klinikës Infektive.  Por, ky numër nuk e kalon pragun epidemik, thonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

E gjithë Kosova tashmë është kapluar nga virusi i gripit sezonal. Mijëra persona tashmë janë prekur nga ky grip. Nga ta një pacient ka gjetur vdekjen.

Detaje për të prekurit nga gripi dhe gjendjen ka thënë drejtoresha e Klinikës Infektive të QKUK’së, Lindita Berisha. Ajo ka deklaruar se gjendja për momentin nuk është alarmante.

Sipas saj deri më tani në vendin tonë është shënuar një viktimë. I njëjti sipas doktoreshës kishte pasur edhe probleme të tjera shëndetësore, shkruan Express.

“Gjendja për momentin mund të them se nuk mund të quhet alarmante. Një person për momentin e kemi të hospitalizuar. Ndërkohë për fat të keq një person ka vdekur. Ai ka qenë një i moshuar i cili ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore. Ndërkohë deri më tani të hospitalizuar në klinikën tonë kanë qenë shtatë persona”, tha Berisha.

E numri i madh i rasteve sipas zyrtarëve shëndetësor raportohet të jetë nga komuna e Prishtinës, pastaj nga ajo e Prizrenit dhe Podujevës.

Megjithëkëtë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në matjet e fundit ka vënë në pas se që nga muaji tetor i vitit që e lamë pas e deri në dhjetorin e 2019’ës në këtë institut janë raportuar gjithsej 12 mijë e 331 raste të dyshimta me grip dhe 2 mijë e 40 raste me infeksion respirator akut.

Nga ky institucion shëndetësor thonë se në periudhën e gripave duhet të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike. Vaksinimi bëhet në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Gjatë këtij viti, përkatësisht në muajin shkurt, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pati shpallur gjendje epidemike të gripit. Ndërkaq, nga muaji tetor i vitit 2018 deri në shkurt të vitit 2019, nga gripi patën vdekur 11 persona.

Viruset sezonale, sipas mjekëve, bëhen më agresive për shëndetin e njeriut kur ambienti është i papastër.

Kosova, aktualisht, është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtar në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë dhe ka cilësi të ajrit të pashëndetshme, e në disa ditë gjatë vjeshtës dhe dimrit, cilësia e ajrit bëhet e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme