Inspektorati Policor i Kosovës, ka arrestuar një zyrtar policor si të dyshuar për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Pas verifikimit të këtyre informacioneve nga hetuesit e IPK-së të njëjtit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Pas një hetimi disa mujor dhe aplikimit të masave të fshehta me autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, më 07.10.2018, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës së kanë arrestuar një zyrtar policor”, thuhet në njoftimin e IPK-së, përcjell Klan Kosova.
Arrestimi i zyrtarit policor B.J (punonjës i stacionit policor në Ferizaj)është bërë në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.
“Gjatë kontrollit të detajuar, tek i dyshuari janë gjetur një sasi prej mbi 500 gram e substancës që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë.
Zyrtarit policor të arrestuar me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.
“Po ashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar edhe një zyrtar policor – punonjës në Stacionin Policor Kufitar Vërmicë lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, sepse i njëjti nuk e kishte regjistruar në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës tani të arrestuarin gjatë hyrjes së tij në Republikën e Kosovës”.