Më shumë prova po shfaqen për të konfirmuar se ilaçi anti-malarie, hidroksiklorokina, nuk ndihmon pacientët me COVID-19.
Një studim i publikuar të enjten ka zbuluar se hidroksiklorokina i dhënë si ilaç i vetëm apo në kombinim me antibiotikun azitromicinë, nuk përmirëson gjendjen e pacientëve të hospitalizuar, me simptoma nga të buta deri në të mesme të COVID-19.
Studimi, i udhëhequr nga studiues në Brazil, ka përfshirë 504 pacientë me COVID-19 që nuk kanë pasur nevojë për oksigjen shtesë apo që merrnin deri në katër litra oksigjen në minutë.
Pacientët janë përzgjedhur pa ndonjë kriter për t’iu nënshtruar njërës mënyrë të kujdesit: për të pranuar një dozë prej 400 mg dy herë në ditë të hidroksiklorokinës apo që të marrin dy herë në ditë dozën e njëjtë si dhe një dozë të azitromicinës, për shtatë ditë rresht. Studiuesit pastaj vlerësuan se si pacientët ishin 15 ditë më vonë, raporton CNN.
As hidroksiklorokina si e vetme e as në kombinim nuk kanë ndikuar në gjendjen e pacientëve pas tretmanit 15 ditor, ka treguar studimi.
Për më tepër, aritmia dhe niveli i lartë i enzimës në mëlçi ishin më të shpeshta te pacientët që merrnin hidroksiklorokinë apo këtë ilaç në kombinim me azitromicinë.
Në përgjithësi, studiuesit kanë shkruar se në mesin e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19 e që kanë simptoma të buta deri mesatare, përdorimi i hidroksiklorokinës si ilaç të vetëm apo si kombinim, nuk ka përmirësuar statusin klinik në krahasim me kujdesin standard.
Ky ilaç u bë i famshëm kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do ta bënte dallimin për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ai kishte thënë se e ka marrë këtë ilaç si preventivë ndaj Coronavirusit. Por studime të shumta kanë dëshmuar se nuk ka ndonjë përfitim nga përdorimi i këtij ilaçi nga pacientët me COVID-19.