Dhjetëra zjarrfikës kanë luftuar me flakët që përfshinë tregun “Camden Lock Market”, në veri të kryeqytetit britanik, me plot 10 automjete zjarrfikëse u dërguan në zonë, bashkë me dy shkallë shumë të larta.
Paniku ka qenë i madh, por fatmirësisht nuk ka raporte për viktima, shkruan rtv21.
Zjarri shpërtheu pak pas mesnatës në strukturën që konsiderohet vatër e qindra aktivitete tregtare.
Tregu i hapur me mbi 1 mijë dyqane, tezga, dyqane të ushqimeve të shpejta, dhe ambiente argëtimi është një magnet i vërtetë për turistët dhe vizitohet çdo ditë nga shumë të tillë.
Ai u hap në vitin 1974 vetëm me një rresht stendash, e sot e vizitohet nga pothuajse 28 milionë persona në vit.
Nga dëshmitë e para rezulton se, flakët kanë nisur mbi restorantin “Honest Burger”.
Për Londrën, ky është i dyti incident madhor i këtij lloji gjatë këtyre javëve të fundit, pas zjarrit tragjik që shkrumboi bllokun rezidencial “Grenfell”, duke marrë 80 jetë njerëzish, nga të cilët deri tani janë identifikuar vetëm 21.