Një ushtar i vrarë në lindje të Ukrainës, planifikohet armëpushim

Prishtinë | 22 Dhj 2017 | 11:57 | Nga

Ushtria ukrainase ka thënë se një nga ushtarët e saj është vrarë dhe dy të tjerë janë lënduar gjatë 24 orëve të fundit në pjesën lindore të shtetit.

Përmes një deklarate, ministria e Mbrojtjes ka thënë se separatistët e mbështetur nga Rusia kanë shkelur armëpushimin 16 herë.

Separatistët në anën tjetër kanë thënë se forcat qeveritare kanë shkelur armëpushimin 28 herë, duke përdorur granta hedhës, artileri dhe armë të tjera.

Në konfliktin mes forcave të Kievit dhe separtistëve pro rusë, që mbajnë disa pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, janë vrarë më shumë se 10,300 persona nga prilli i vitit 2014.

Armëpushimet në kuadër të marrëveshjes së Minskut me qëllim të zgjidhjes së konfliktit, kanë dështuar disa herë.

Një armëpushim i ri është caktuar të zbatohet gjatë periudhës së festave në natën mes 22 dhe 23 dhjetorit.

Për këtë armëpushim kanë diskutuar presidenti rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një bisede telefonike më 21 dhjetor, ka njoftuar Kremlini.

Putin po ashtu i ka sqaruar Merkelit pse Rusia ka tërhequr vëzhguesit e saj ushtarakë nga një grup i përbashkët monitorimi në lindje të Ukrainës.

Sipas Kremlinit, Putin ka njoftuar se personat në fjalë janë “provokuar” nga autoritetet ukrainase.

Kiev e ka kritikuar vendimin e Moskës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme