28 Nëntori i vitit të kaluar nisi me protestën e tri partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën në sheshin “Zahir Pajaziti” kundër marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pak minuta pasi manifestimi i opozitës së bashkuar në atë kohë përfundoi i qetë, Policia e Kosovës kishte rrethuar zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje ku brenda pak minutash arrestuan edhe ish-liderin e kësaj lëvizje Albin Kurtin.
Policia kishte shoqëruar edhe dhjetëra aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët ndodheshin në selinë e VV-së në momentin e bastisjes nga forcat speciale.
Pas arrestimit të Kurtit, Gjykata Themelore e Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë i caktoi masën e arrestit prej 30 ditësh.
Masa i ishte caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale, pengim i personit zyrtarë në kryerjen e detyrës, mbajtje të armës dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Lidhur me këtë, nënkryetari i VV-së, Driton Çaushi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se viti 2015 ishte vit ku në shumë mënyra kemi pasur rastin të shohim fytyrën e vërtetë të pushtetit aktual në Kosovë.
“Për opinionin është mirë i njohur karakterizimi që Lëvizja VETËVENDOSJE! ia bën në vazhdimësi këtij pushteti, pra si një pushtet gjysmë-autoritar dhe policor. Megjithatë, besoj që data 28.11.2015 ishte dëshmia më e mirë për atë që ne e besonim dhe thoshim me kohë. Ajo që ndodhi atë ditë në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e që u dëshmua nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, paraqet përpjekjen më brutale për të shtypur një subjekt opozitar në Kosovën e pasluftës. Mijëra policë të angazhuar, përdorimi i njësitit elitar anti-terror dhe dhuna e shfrenuar që u ushtrua atë ditë janë dëshmia më e mirë për këtë”, ka thënë Çaushi.
Ai ka shtuar se masat represive ndaj Lëvizjes Vetëvendosje “që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, duke përfshirë montimet e rasteve për terrorizëm dhe humbjen tragjike të aktivistit Astrit Dehari në burgun e Prizrenit, vetë sa pasqyrojnë edhe më qartë karakterin policor të këtij regjimi”.
“Është shumë e rëndësishme që mos të lejohet që rasti i ndërhyrjes së 28.11.2015 të kalojë pa dhënien e përgjegjësisë nga autoritetet shtetërore. Kujtoj këtu që aktivistët e keqtrajtuar atë ditë kanë ngritur kallëzime penale ndaj Policisë së Kosovës, por ashtu si edhe ndodh në regjimet autoritare, nuk kemi pasur ende një hetim të mirëfilltë dhe marrje të përgjegjësisë për rastin”, u shpreh Çaushi.
Nënkryetari i VV-së theksoi më pas se në muajin shkurt të vitit 2016 kanë pasur një letër nga organizata prestigjioze për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ku është kërkuar një hetim i rastit dhe ku është shprehur shqetësimi për dhunën e tepruar të ushtruar atë ditë nga Policia e Kosovës.
“Njëjtë, edhe në këtë rast nuk kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe asnjë reagim të institucioneve, edhe pse për këtë kemi kërkuar përgjegjësi edhe në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.