Një farë lloj autonomie është një autonomi sa vetë Zajednica

Prishtinë | 20 Dhj 2022 | 12:17 | Nga Behxhet Shala

Barrikadat, mjet për qëllime politike: Ne Veriun e okupuar të Kosovës, deri më tani janë vendosur 9 barrikada që e kanë pamundësuar lëvizjen e lirë sikur që kanë bllokuar një numër të policëve të Policisë së Kosovës, të cilët, sikur në serialet e Ber Grills po mbijetojnë në kushte ekstreme, me ushqime sadaka të ndonjë donatori nga Prishtina apo të qyteti tjetër, me konserva buzë afatit të skadimit të KFOR-it amerikan apo me ndonjë fli të gatitur nga halla Razë e që, për të arritur deri te policët duhet të kalojë peripetitë e Udhës së Shkronjave.

Për t’u larë, ndërruar rrobat nuk i kanë as ata 5 minutat e Hugo Çavezit që, në emër të kursimit ua impononte qytetarëve të Venezuelës të qëndronin nën më së shumti 5 minuta dhe të mos këndonin fare. Sa i përket shëndetit, në rast se kanë ndonjë problem shëndetësor, edhe ata që nuk besojnë në Zot, lutja te Zoti iu mbetet e vetmja mundësi dhe ngushëllim. Në anën tjetër kemi deklarata folklorike të zyrtarëve më të lartë policorë, nga zyra apo ndonjë ndeje, se Policia e Kosovës ka kapacitet që t’i largojë barrikadat por se këtë detyrë ia kanë lënë KFOR-it, si palë e kontraktuar nga qeveria e Kosovës (argatë krahu) ndërsa, për sigurinë e kësaj pjese të okupuar të Kosovës, përgjegjësinë e ka Policia e EULEX-it për shkak të raporteve shumë të mira që i ka me Policinë e Serbisë.

Neve na rrahin, Policinë e EULEX-it e duan! Të thuash se jemi shtet i pavarur dhe sovran, se çdo respekt për miqtë ndërkombëtarë por se sovraniteti është sovranitet e jo virgjinitet, se i lëmë të gjitha punët duke e rrezikuar edhe jetën për shtrirje të sovranitetit dhe të thirresh në KFOR dhe EULEX, është tepër e ulët dhe paraqet dorëzim para bandave serbe sikur edhe dorëzim vullnetar i sovranitetit dhe integritetit territorial KFOR –it dhe EULEX-it, vetëm për ta ruajtur pushtetin. Pastaj, nëse “ ruajtësit “ e sovranitetit dhe integritetit territorial dalin me një kërkesë për pushtetin, menjëherë ka reagime se nuk durojmë më, deri në flinë dhe makiaton e parë, në një odë të sigurt apo kafeteri të rrethuar me Policë për Mbrojtje të Afërt.

Merreni me mend çfarë rrene dhe mashtrimi; i padenjë edhe për Grofin Minhauzen, si kampion dhe sinonim i rrenave, KFOR-i na ka kërkuar kohë për t’i larguar barrikadat ndryshe do t’i largojmë vetë! Kush do t’i largojë? Bijtë dhe bijat e atyre që kanë zhdëp me dru dhe dajak patriotët shqiptarë, që i kanë arrestuar dhe dënuar me burgje të rënda të gjithë ata që kanë luftuar për lirinë e Kosovës dhe bashkim kombëtar. Bijtë dhe bijat e atyre që e kanë arrestuar Bacën Adem Demaçin dhe që kanë vrarë Komandantin Legjendar Adem Jasharin, nëse jo fizikisht. atëherë politikisht gjithsesi.

Tash, kur e kanë hetuar se është afër arritja e një marrëveshjeje politike për heqje të barrikadave politike, të njëjtit, të mbushur me një patriotizëm të rremë sepse kurrë nuk kanë qenë patriotë, as ata as paraardhësit e tyre që nga koha e dinastisë së Car Dushanit, po deklarojnë se KFOR-i paska kërkuar edhe pak kohë shtesë ndonëse, nëse KFOR-i nuk e kryen punën si argat i kontraktuar, këta do ta bëjnë namin; pordhët e tyre do të ndjehen deri në Gjylekarë! Frikacakë dhe të mjerë, hipokritë dhe mashtrues!
Është e qartë se Serbia fiton me këto barrikada, çdo largim i tyre kushtëzohet me lëshime që detyrohet t’i bëjë Kosova. Është e qartë se barrikadat nuk largohen pa një marrëveshje politike ku Kosova nuk ka asnjë ndikim ndërsa ndërkombëtarët, në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë janë pjesë e këtyre barrikadave, deri në arritjen e qëllimeve politike. Ndryshe, si do të lejonin që të vendosen këto barrikada përmes pamundësimit të autoriteteve të larta shtetërore të Kosovës që të intervenojnë me forcën e ligjit në territorin në të cilin, sipas ligjeve dhe Kushtetutës kanë detyrim ta shtrijnë sovranitetin dhe të sigurojnë integritetin territorial! Lojë e poshtër, jashtëzakonisht e poshtër! Madje, pala kosovare deklaron se mund t’i heqin këto barrikada sepse kapacitetet, vullneti dhe sidomos guximi për vendimmarrje politike ekziston ama mund të ketë viktima. Kjo porosi nënkupton se pala kosovare i largon këto barrikada kur të bëjë shelnja rrush!

Zajebnica apo njëfarëllojë autonomie: Gjermania, që nga koha e kancelares Merkel ka qenë mbrojtëse e madhe e interesave të Serbisë në Kosovë dhe mëkëmbësi më i madh i ekonomisë së Serbisë përmes investimeve të mëdha ekonomike dhe këmbimeve të mallrave dhe kapitalit midis dy shteteve. Flitet se afërsisht 70,000 vende të punës në Serbi janë hapur në saje të investimeve të Gjermanisë në Serbi dhe se këto investime dhe këmbime kapin vlerën e dhjetra e dhjetra miliarda euro. Ndërkaq në Kosovë investimet janë bërë në baza humanitare dhe asnjëherë në baza zhvillimore. Këtë politikë po e vazhdon edhe kancelari Sholc që e ka birësua politikisht, bashkë me Makronin, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin duke ua imponuar një propozim franko – gjerman ku nuk ka asnjë njohje reciproke, jo në qendër por as si hijezim, sikur që nuk ka as pranim në Kombe të Bashkuara por se përdoret një eufemizëm; organizata ndërkombëtare. Për ta forcuar këtë propozim që nuk zgjidhë asgjë por se e prolongon zgjidhjen për një afat të pacaktuar e kanë angazhuar Rrahman Morinën e Katalonisë, Joseph Borrell që tani po thotë se ky propozim është apo ka mbështetjen e 27 shteteve evropiane në kohën kur 5 shtete nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

Le ta pranojnë pavarësinë e Kosovës këto 27 shtete, le ta sigurojnë një status të Kosovës sikur që e ka Serbia përballë 27 shteteve evropiane dhe do të krijohej një barazpeshë për bisedime, pa diskriminime. Të gjitha këto shtete kërkojnë formimin e Zajebnices, si kusht për të shkuar përpara dhe tolerojnë Serbinë të ndërhyjë në mënyrë të lakuriquar në punët e brendshme të Kosovës. Formimin e Zajebnices e kërkojnë edhe disa analistë kosovarë që kanë notuar dhe mbijetuar në të gjitha sistemet dhe në të gjitha kushtet duke sfiduar pavarësinë e Kosovës, luftën e lavdishme çlirimtare të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës, në emër të një globalizmi apo multietniciteti të rremë, asnjëherë të sinqertë dhe të pranuar nga pala serbe.

Asnjë shtet normal nuk do ta pranonte Zajebnicen sikur që po e kërkon Serbia dhe ndërkombëtarët si dhe kolona e pestë e tyre në Kosovë, konformistë dhe lakej të pamoralshëm. Në mëmentin kur do të pranohej Zajebnica në këtë formë dhe me këtë përmbajtje e pati puna e Kosovës si një shtet unitar dhe i pandashëm, pandalshëm Kosova do të federalizohej dhe do të bëhej jofunksionale, krejtësisht e varur nga Serbia që do ta kishte një mekanizëm afatgjatë për shantazhim edhe në pjesët tjera të Kosovës ku jetojnë serbët, qoftë edhe vetëm një serb siç thoshte Drashkoviqi.

Personalisht, kurrë, me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë nuk do ta votoja këtë Zajebnicë. Tash, a do të zbatohet kjo Zajebnicë, mund vetëm ta paragjykoj mirëpo, është e qartë se janë vetëm dy mundësi, ose Zajebnica, ose pushteti. Si kompromis i dhimbshëm ( për Serbinë ) mund të jetë, Zajebnica me këtë përmbajtje por me një emërtim tjetër. Kjo edhe ka gjasa të ndodhë ndryshe pse aq shumë terr rreth bisedimeve për Zajebnicen dhe propozimin Makron – Sholc që modelohen nga një Ekip Teknik i Mercenarëve dhe një injorant, pa asnjë të kaluar politike dhe kombëtare që është noterizuar për t’i udhëhequr bisedimet. Ndërkombëtarët nën eufemizmin e një qëndrimi se janë kundër modelit të një Republike serbe në Kosovë, në fakt po angazhohen për një Zajebnicë me kompetenca ekzekutive.
Po të donin një Zajebnicë sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk do të kishte fare problem, as për mua dhe as për asnjërin në Kosovë. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rohde, i njohur si shitës i tymit, mjegullës dhe iluzionit në Kosovë, së fundi deklaroi se serbët duhet ta kenë njëfarëlloj autonomie në Kosovë, sipas ligjeve të Kosovës. Çfarë mashtruesi! Po të ishte kështu, le të regjistrohet ky Asociacion sikur OJQ –ë sepse OJQ-të e kanë njëfarë autonomie të garantuar në përputhje me ligjet e Kosovës. Po nuk e duan këtë, nuk e donë as ambasadori Rohde sepse nuk e donë as Serbia. Ata e duan Zajebnicen si strukturë të organizuar politike, me vendosje në qendër të Beogradit e jo Prishtinës. Ata e duan Zajbnicen me më shumë komptenca se që ka Republika Srpska në Bosnje, e duan si njësi federale apo konfederale ku Prishtina do të kishte ndikim në Zajebnicë aq sa ka ndikim në Mauritani. Ambasadori Rohde është i padrejtë, i pasinqertë dhe tinëzar! Sikur që është i tillë me barrikada, me Gjykatën Speciale dhe me renovimin e shtëpisë së Xhafer Devës. Sepse, pa asnjë dyshim njëfarëllojë autonomie është më e rrezikshme se një autonomi e vërtetë. Njëfarëllojë autonomie e Rohdes është si kanceri malinj, rritet dhe zhvillohet në mënyrë të pakontrolluar.

Pastaj, Rohde ka dy standarde, të favorshëm për Serbinë, abuzues për Kosovën! Rohde nuk e akuzon Listen Serbe pse është bërë instrument paramilitar i Serbisë në Kosovë por pse nuk paskan reaguar për Rada Trajkoviqin e cila, në postimin e saj thotë se po lajmërohet shkaku se është ndaluar në kalimin administrativ në Merdar (jo në kufi) dhe se, si shtetase e Serbisë po i mohohet hyrja në shtetin e saj e që është në kundërshtim me kushtetutën e Serbisë…. Kosova, ose duhet të lejohet të bëhet shtet normal, ose nuk duhet të ekzistojë! Koloni për koloni, më mirë të bëhemi koloni e Shqipërisë se të mbesim koloni e Serbisë, tash me një emër tjetër! Me ndrikulla si Rohde dhe të ngjashëm!

“Vendosmëria” e të mjerëve: Këshilltarët e Zelenskit dhe luftëtarët e pakompromis kundër Rusisë, me banim të përkohshëm si dhe me punë part – time në Kosovë, me dy a më shumë shtetësi dhe pasaporta, nga Salloni i Sellmës dhe Studioja e Valdrinit që janë pajisur me pasaporta diplomatike që ua ka lëshuar Zonja Shvarc – valldi, janë strukur nën uniformat e KFOR-it dhe EULEX-it duke pritur ambasadorë, llajçaka, borrella, eskobara dhe hill (t) a dhe nga këto takime para neve dalin me plotë muskuj duke akuzuar çdokend që nuk është në linjë me ta, duke fajësuar Adem Demaçi dhe Adem Jasharin, duke i sharë dhe dhunuar veteranët e luftës dhe ish – të burgosurit politikë, personalisht dhe përmes lehësve të paguar në disa media, të maskuar si analistë. Dikush duke festuar dënimin e Salih Mustafës me 26 vjet burg dhe të tjerët duke pritur me pasion patologjik dënimin me burg të përjetshëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, a janë këta që do të marrin vendime të guximshme për vendin dhe popullin?!

Nëse e analizoni përbërjen e qeverisë aktuale janë vetëm dy ministra me të kaluar kombëtare, njëri e ka të vërtetë prandaj edhe po margjinalizohet, tjetri e ka të trashëguar dhe këtë trashëgimi po e keqpërdorë paskrupull pikërisht kundër atyre që kanë luftuar për këtë vend duke krijuar mundësi që të ulen në karriket e ministrave ata që të kaluarën, më shumë e kanë të lidhur me dhunuesit tanë dhe aspak ose fare pak me sakrifikuesit dhe çliruesit që e bënë luftën, e bënë shtetin, e shpallën pavarësinë e që paturpësisht po mohohen. Ata dhe të gjithë që kontribuuan për këtë shtet, kështu si është, ua lanë një bezë, një kornizë me një përmbajtje që u njoh nga më shumë se 106 shtete dhe ku jemi sot ? Asnjë njohje, asnjë anëtarësim, largim masiv i trurit dhe të rinjve nga Kosova!

Nëse deri më tani nga Kosova janë larguar hallexhinjtë, që edhe mund të kuptohet, sot nga Kosova po largohen ata që e kanë një mirëqenie të konsoliduar. Pse? Përgjigjen e gjeni vetë, lexues të nderuar! Nuk e keni aspak vështirë ta gjeni!

Të ngjashme