Ministria e Punëve të Brendshme, pas plot 11 vitesh, ka siguruar uniforma të reja për Njësitin special “Tigrat”. Në furnizimet e reja përfshihen uniformat për mjediset urbane si dhe ato rurale. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski tha se kjo bëhet me qëllim që pjesëtarët e njësiteve speciale të jenë mirë të përgatitur dhe të motivuar për punë. Nuk dihet se kur do të sigurohen uniforma edhe për policinë dhe njësitet e tjera, të cilët po ashtu për vite të tëra, nuk kanë marrë uniforma të reja.
Sot kemi nderin së bashku me udhëheqësinë e Ministrisë së Brendshme në bazën e Njësitit special Tigrat të promovojmë sigurimin e uniformave të reja dhe atë uniformë komplete që sigurohet pas 11 viteve. Bëhet fjalë për sigurimin e uniformave të reja për punë në ambiente urbane, 200 komplete për punë në ambiente rurale dhe rreth 13 lloje të emblemave të veçanta për uniforma”- u shpreh Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Ndërkohë i pyetur nga gazetarët se kur shqiptarët do ta kenë privilegjin për të mbajtur këtë uniformë ministri i Brendshëm Spasovski tha se kjo uniformë mbahet në bazë të përgatitjes së duhur profesionale.
Kjo uniformë nuk mbahet në bazë të përkatësisë kombëtare apo fetare, kjo uniformë mbahet në bazë të përgatitjes. Ne për momentin kemi një shpallje të brendshme, po zbatohet një test praktik që është i patjetërsueshëm për të hyrë në këtë njësit dhe të gjithë ata që do ta kalojnë atë ushtrim do të kenë mundësi ta mbajnë këtë uniformë. Këtu nuk bëhet fjalë absolutisht që të hyj dikush në bazë të kombësisë por në bazë të përgatitjes”- theksoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Pos në njësinë “Tigrat”, shqiptarët nuk janë të përfaqësuar edhe në njësitë e tjera elitare. E njëjta situatë është edhe në njesitet speciale ushtarake, shkruan Alsat-M. Tek njësiti special “Ujqit” shqiptarët nuk janë aspak të përfaqësuar ndërsa, tek njësiti “Renxherët” janë të përfaqësuar me vetëm 0.3 %. Edhe në njësitin “Shkorpionët”, shqiptarët nuk janë fare të përfaqësuar ose janë në numër shumë të vogël.