Beteja në mes dy ‘label’-ëve muzikorë OTR e Babastars e cila nisi më 13 shtator të vitit 2016 para hotelit “Swiss Diamond”, është zhvendosur në Gjykatë.
Në lidhje me këtë përleshje në mes OTR e Babastars në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca fillestare.
OTR është ‘label’ në të cilin bën pjesë ‘Noizy’, ndërsa ‘Babastars’ label-i tjetër ku bën pjesë ‘Cozman’.
Më 13 shtator të vitit 2016, rreth orës 17:15 në parkingun para hotelit “Sëiss Diamond”, kishte ndodhur një përleshje mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve, ata të OTR-së nga Shqipëria dhe BabaStars nga Kosova.
Kallxo.com ka arritur të sigurojë aktakuzën në të cilën prokuroria ka shpjeguar veprimet e të gjithë pjesëmarrësve në këtë përleshje.
Në këtë proces gjyqësor i akuzuar është Rigels Rajku (Noizy), derisa reperi tjetër, Ylber Abdullahu (Cozman), është palë e dëmtuar.
Si pasojë e kësaj përleshje mbetën të lënduar disa persona, përfshirë edhe Rigels Rajku, i njohur për publikun si “Noizy”, atij i është hequr një plumb gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike.
Ndërsa Visar Shala, i njohur në tregun e muzikës me nofkën ‘Skivi’, është vetëm dëshmitar në këtë proces gjyqësor.
Sipas aktakuzës, ‘Noizy’, në ditën kritike i ishte vërsulur fizikisht Albert Krasniqit dhe Ylber Abdullahut, pasi që i akuzuari Krasniqi dhe tani i dëmtuari Abdullahu me automjet të të dëmtuarit kanë ardhur në parking.
Aktakuza thotë se ‘Noizy’ fillimisht i është vërsulur ‘Cozman’-it të cilit i është afruar derisa ishte duke ndenjur në automjetin e markës “Range Rover” dhe me grusht e ka goditur në pjesën e tëmthit dhe e ka shtyrë në automjet, me ç‘rast është shkaktuar rrahja e përgjithshme dhe i dëmtuari kishte pësuar edhe ca goditje.
Më pas, gjithnjë sipas aktakuzës, ‘Noizy’ kishte kaluar nga ana tjetër e automjetit nga vendi i pasagjerit dhe e kishte goditur me grusht në anën e djathtë të fytyrës në regjionin e buzëve tani të dëmtuarin Abdullahu.
Si rrjedhojë, prokuroria pretendon se i dëmtuari Abdullahu ka pësuar lëndime të lehta trupore, si dhe i akuzuari i dytë Albert Krasniqi, me pasoja të përkohshme për shëndetin për të dy personat.
Atë ditë, reperi “Noizy” kishte hyrë në operim në të cilin mjekët i kishin larguar një plumb gjatë ndërhyrjes kirurgjike.
Aktakuza sqaron prejardhjen e plumbit në trupin e tij nga i akuzuari tjetër i rastit, Albert Krasniqi, pasi që ky i fundit kishte shtënë dy fishekë “njëri nga të cilët ka përfunduar në trupin e Rajkut”.
Sipas aktakuzës, deri te kjo ka ardhur pasi që i akuzuari Albert Krasniqi kishte qenë në veturë me të dëmtuarin ‘Cozman’ dhe pasi që ka ardhur në parking, i njëjti është sulmuar nga ‘Noizy’, dhe në një moment ka nxjerrë nga xhepi i jaknes pistoletën në fjalë.
Me këtë, Krasniqi, ngarkohet nga prokuroria me veprën penale lëndim i lehtë trupor, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Përveç këtyre dy veprave penale, ai ngarkohet edhe për një vepër tjetër penale të lëndimit të lehtë trupor ndaj Denis Hajrit, i dëmtuar në këtë incident.
“Ka shtënë dy fishekë në drejtim të tokës nga të cilët njëri fishek e ka plagosur tani të dëmtuarin Denis Hajri, i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore të shkaktuara me veprim dinamik të armës së zjarrit”, thuhet më tej në aktakuzë.
Të akuzuar në këtë proces përpos reperit “Noizy” dhe Albert Krasniqit, është dhe Elvis Hyseni.
Hyseni, sipas aktakuzës, në datën, kohën dhe vendin për të cilin bëhet fjalë, në momentin kur ka ardhur policia në vendin e ngjarjes, kur i akuzuari Albert Krasniqi me kërkesë të policisë ishte duke e lëshuar armën poshtë (në tokë) “me dashje ka përdorur dhunë dhe ka sulmuar fizikisht” Krasniqin duke e goditur me grusht në pjesën e fytyrës.
Me këtë ngarkohet me veprën penale sulmi.