Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, David McAllister i ka thënë të përditshmes së Beogradit, “Kurir”, se negociatat e Serbisë për hyrje në Bashkimin Europian kërkojnë lëvizje të vazhdueshme drejt marrëdhënieve më të mira me Kosovën.
Sipas tij, procesi do të duhej gradualisht të çojë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që të dy vendet të kenë mundësinë të realizojnë të drejtat e veta dhe të përmbushin përgjegjësitë.
Normalizimi i marrëdhënieve duhet të shkojë në favor të shtetasve të Serbisë e të Kosovës dhe kjo ka rëndësi thelbësore për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon. Kështu është shprehur McAllister për këtë gazetë, transmeton Koha.net.
Ai po ashtu ka përshëndetur nismën e presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për nisjen e dialogut të brendshëm rreth kësaj çështjeje.
McAllister ka theksuar se normalizimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve nuk do të arrihet asnjëherë me forcë, por vetëm në bazë të pajtimit të të dy palëve.