Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot në takim ambasadorin e Norvegjisë në Prishtinë Per Strand Sjaastad, me të cilin diskutoi për avancimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Norvegjisë dhe Kosovës.
Ministri Hoti duke i uruar detyrën e re Ambasadorit të Norvegjisë Per Strand Sjaastad, e falënderoi atë për ndihmën e dhënë nga shteti i Norvegjisë për proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova. Me këtë rast Ministri Hoti gjithashtu shprehi gatishmërinë e tij për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos në fushën e investimeve.
Ai gjithashtu e njoftoi ambasadorin Per Strand Sjaastad për procesin buxhetor, politikat fiskale dhe pakon fiskale dy për vitin 2016, për procesin e bashkimit të ATK-së dhe Doganës në një agjenci të vetme si dhe për miratimin e Ligjit për investime strategjike në Kosovë, ku ky Ligj duhet të shihet si një mundësi më e mirë për bizneset norvegjeze për të investuar në Kosovë. Me këtë rast vlen të përmendet edhe raporti i Bankës Botërore për Kosovën ku sipas këtij Raporti Kosova ka krijuar kushte shumë të favorshme për investime.
Ndërsa, ambasadori i Norvegjisë Per Strand Sjaastad duke falënderuar Ministrin Hoti për pritjen e ngrohtë shprehi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë Norvegjeze për ta ndihmuar Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon e sidomos në fushën e investimeve, me qëllim që Kosova të shihet si vend i cili ofron kushte shumë të mira në të bërit biznes, por edhe në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.