“Varianti i ri i ndryshon rregullat”, Norvegjia futet në izolim të pjesshëm

Prishtinë | 14 Dhj 2021 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Norvegjia do t’i ashpërsojë masat kufizuese dhe do ta përshpejtojë procesin e vaksinimit në përpjekje për ta kufizuar rritjen e pritshme të rasteve me variantin Omicron të koronavirusit, tha të hënën kryeministri norvegjez, Jonas Stoere.

Duke e paraqitur rundin e katërt të masave brenda dy javëve, qeveria njoftoi për ndalim të shërbimit të alkoolit në bare e restorante, mbyllje të sallave të fitnesit dhe pishinave për shumicën e përdoruesve dhe rregulla më të rrepta në shkolla, mes tjerash.

“Nuk ka dyshim – varianti i ri i ndryshon rregullat. Për këtë arsye, duhet që të veprojmë shpejt dhe duhet të veprojmë përsëri. Për shumë njerëz, ky do të duket si izolim, nëse jo i shoqërisë, atëherë i jetës së tyre”, tha kryeministri norvegjez.

Për ta përshpejtuar dhënien e dozave përforcuese, qeveria tha se forcat e armatosura dhe barnatoret do të ofrojnë ndihmë në fushatën e vaksinimit, ndërsa rregullat e karantinimit do të zbatohen në masë më të gjerë, shkruan Reuters.

Norvegjia po shënon rekorde të rasteve dhe hospitalizimeve, pjesërisht për shkak të përhapjes së variantit Omicron, që pritet të bëhet variant mbizotërues në vend në ditët e ardhshme.

“Mungesa e veprimit tani do të mund të çon te në pasoja të mëdha negative për shoqërinë, jo vetëm për shërbimet shëndetësore dhe komunat”, tha Instituti Norvegjez i Shëndetit Publik, duke shtuar se vendi me 5.4 milionë banorë mund të ketë mes 90.000 e 300.000 infektime ditore nga janari, nëse nuk vendosen masa efektive.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme