Nostrifikimi i diplomave mbetet problem, kërkohet ligj i veçantë

Prishtinë | 18 Nën 2020 | 12:43 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka publikuar “Raportin e monitorimit të Qendrës Kombëtare për Njohje e Diplomave (NARIC) Kosova 2”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë konferencë ishte e ftuar udhëheqësja e Qendrës Kombëtare për Njohje të Diplomave, Kumrije Gagica.

Drejtori i ORCA-së, Rron Gjinovci e ka parë si presion të Ministrisë së Arsimit  mungesën e saj në konferencë.

Sipas Gjinovcit ajo e ka anuluar në moment të fundit pjesëmarrjen në konferencë.

“Është edhe një karrige këtu për Kumrije Gagica por më ka njoftuar përmes një e-mail që nuk mundet me ardhur sepse i është dhënë një detyrë nga sekretari në  momentin e fundit”.

“E  shoh si presion direkt prej saj nga ana e sekretarit te përgjithshëm për të mos marrë pjesë në këtë aktivitet”.

Ai më tej ka sqaruar se nga shtatori i vitit 2018 NARIC është duke funksionuar pa një data-bazë online.

Sipas tij, mungesa e stafit ia pamundëson NARIC-it ndjekjen dhe shqyrtimin e rasteve me kohë.

Problematike mbesin diplomat nga Shqipëria e të cilat janë 68 sosh, që nuk kanë marr ende ndonjë vendim për njohje apo mosnjohje dhe kjo po ndodhë kryesisht për shkak të përgjigjeve kontradiktore nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri (MASR) për diplomat e fituara në universitetet private atje apo për shkak të ndryshimit të përgjigjes nga negative në pozitive pa ndonjë arsyetim të bazuar.

Problem tjetër janë edhe diplomat që vijnë nga Maqedonia e Veriut, e që aktualisht janë pa ndonjë vendim 47 sosh, të gjitha këto për shkak të pajisjeve pa ndonjë kontrollë me diploma kryesisht të doktoratës.

Andaj ai propozon një ligj të veçantë që rregullon punën e këtij institucioni.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga kjo qendër, sa i përket validimit të diplomave të fituara brenda Kosovës me qëllim të përdorimit të tyre jashtë vendit, numri i aplikimeve është 70 për qind më i lartë se në vitet e kaluara, duke shënuar numrin prej 700 aplikimesh vetëm në muajin tetor të vitit 2020. Qytetarët e Kosovës të cilët po i validojnë këto diploma, për të shkuar jashtë Kosovës për vazhdim të studimeve janë rreth 30 për qind, ndërkaq ata të cilët po shkojnë për punësim janë rreth 70 për qind.

Në periudhën kohore janar-tetor të vitit 2020, janë marrë gjithsej 663 vendime nga Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC Kosova), prej tyre, 288 janë nga Zyra e Qendrës NARIC, ndërsa 375 janë nga Këshilli Shtetëror për Njohje.

Të ngjashme