Nuk duhet të jemi indiferentë që të rinjtë, dhe jo vetëm ata, po ikin

Prishtinë | 02 Maj 2023 | 14:10 | Nga Agron Halitaj

Ka prej atyre që thonë: “Punë e madhe që po ikin rinia – le të shkojnë ku të gjejnë më mirë”.

Po, të rinjtë dhe jo vetëm ata, po largohen me shpresën se diku tjetër do të gjejnë më mirë se në vendin e tyre, por nuk është se pushteti dhe ne si qytetarë duhet të jemi indiferentë dhe të mos shqetësohemi për këtë gjë.

Shumë thjesht shpjegohet kjo punë.

Nëse ikin rinia dhe brezi i mesëm zvogëlohet fuqia punëtore. Me zvogëlimin e fuqisë punëtore, bie konsumi dhe ulet prodhimi. Me uljen e prodhimit u rrezikohen vendet e punës edhe atyre që kanë vendosur të jetojnë këtu, për sa kohë që me rënien e konsumit, mbyllen bizneset dhe pakohen mjetet që derdhen në buxhetin e shtetit nëpërmjet tatimeve.

Me pakësimin e të hyrave buxhetore, rrezikohen pagat e punëtorëve edhe në sektorin publik. Krahas rrezikimit të pagave dhe të pensioneve, rrezikohet edhe shlyerja e borxheve të jashtme. Në pamundësi të sigurimit të pagave dhe të shlyerjes së borxheve, shteti futet në krizë financiare.

E kur shteti futet në krizë, pasojat i ndjejnë krejt ata që jetojnë në këtë vend.

P.S. Çdo krahasim me ikjet gjatë kohës së regjimit serb është i paqëndrueshëm dhe i pavend.

Të ngjashme