Nuk i kushtoi rëndësi dhimbjeve të shpinës, 32-vjeçari vdes pas diagnozës së rëndë

Prishtinë | 19 Kor 2026 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Një 32-vjeçar, i cili besonte se vuante nga dhimbje shpine për shkak të punës së rëndë në një pub dhe përdorte paracetamol për të lehtësuar dhimbjet, ka ndërruar jetë.

Roy Mugera, nga Dagenham, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, më 8 korrik.

Në vitin 2023, Roy punonte si banakier kur nisi të ndiente dhimbje në shpinë. Ai mendonte se ato vinin si pasojë e ngritjes së arkave me mallra dhe ndërrimit të fuçive të birrës në bodrumin e lokalit.

Me kalimin e kohës, dhimbjet u përkeqësuan aq shumë saqë ai nuk arrinte të flinte normalisht. Për të gjetur një pozicion më të rehatshëm, kalonte netët në karrigen e tij të lojërave, në divanin e dhomës së ndenjës ose ulur në shtrat, me këmbët të mbështetura mbi një karrige, të rrethuara me jastëkë dhe madje përdorte edhe një çantë sportive të mbushur me rroba për të mbështetur shpinën dhe anën e majtë të trupit. Në anën e majtë i ishte shfaqur edhe një fryrje, e cila lëvizte lart e poshtë, transmeton Mirror.

Duke kujtuar fillimin e simptomave, Roy kishte thënë:

“Në fillim nuk i mora seriozisht dhimbjet, sepse në atë kohë punoja si banakier dhe, për shkak të furnizimeve dhe rimbushjes së stokut, ngrija vazhdimisht pesha të rënda. Por, gjatë muajve në vijim, ndërsa dhimbjet u shtuan, hyja e dilja nga spitali duke kërkuar një zgjidhje ose një skanim të shpinës për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

Shkova disa herë edhe te mjeku i familjes, pasi kisha vënë re se po më rritej një fryrje në anën e majtë, pranë diafragmës. Kisha dhimbje, ngërçe dhe probleme me stomakun. Para se të vizitoja mjekun dhe të shtrohesha në urgjencë, përdorja qetësues pa recetë, si Paracetamol dhe Panadol, por ato nuk po më ndihmonin.”

U deshën pothuajse pesë muaj dhe tre vizita te mjeku i familjes për të zbuluar shkakun e vërtetë të simptomave. Vetëm pas një biopsie, Roy u diagnostikua me sarkomë sinoviale, një formë jashtëzakonisht e rrallë kanceri, nga e cila në Angli diagnostikohen më pak se 80 persona çdo vit. Mjekët i thanë se sëmundja e tij ishte e pashërueshme.

Kimioterapia rezultoi aq e rëndë për organizmin e tij, sa Roy u detyrua ta ndërpriste pas vetëm tre prej gjashtë seancave të planifikuara.

Ai i mbijetoi edhe dy episodeve kërcënuese për jetën nga sepsa. Në një moment, mjekët i thanë se kishte qenë vetëm dy orë larg vdekjes.

Radioterapia, e kryer në mars të vitit 2024, solli një rreze shprese, pasi tumori i tij u tkurr nga 22 centimetra në vetëm 1 centimetër. Megjithatë, më vonë u zbuluan dy nyje tumorale në mushkërinë e djathtë, duke e detyruar t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale.

Në kohën kur ndërroi jetë, tumori ishte rritur sërish në 17 centimetra dhe kanceri ishte rikthyer edhe në mushkëri.

Të ngjashme