Nuk ka asnjë indikacion “për luftë” me Malin e Zi

Prishtinë | 22 Sht 2016 | 12:52 | Nga

Nuk ka asnjë indikacion për ndonjë “konflikt të armatosur të mundshëm apo luftë” ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pretekst i së cilës do të ishte Demarkacioni i kufirit ndërmjet dy shteteve, vlerësojnë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, si dhe njohës të zhvillimeve politike dhe të rrethanave të sigurisë në Kosovë.

Reagimet e tilla të zyrtarëve të Qeverisë, por edhe analistëve të çështjeve politike dhe të sigurisë, vijnë pas deklaratave të Albin Kurtit, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit më të madh opozitar Lëvizja Vetëvendosje, i cili nga mediet vendore është cituar të ketë thënë se “Demarkacioni i Murat Mehës (kryetar i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare) bën konfliktin, luftën dhe gjakderdhjet e reja me Malin e Zi”.

Bajram Gecaj, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i quan deklaratat e deputetit Kurti si të papërgjegjshme, si dhe ka hedhur poshtë çdo pretendim se marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, e formës së tanishme, prodhon situatë për ndonjë luftë të mundshme me Malin e Zi.

“Nuk ka kurrfarë indikacionesh dhe unë besoj, sepse ne jemi në kontakte të vazhdueshme me këtë shtet, sepse është shtet mik, është shtet fqinj, me të cilin kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Nuk besoj që këto deklarata do të merren si deklarata serioze. Megjithatë, është plotësisht e papërgjegjshme që një lider i një lëvizje apo një subjekti politik, i cili është subjekt parlamentar, të bëj deklarata të tilla, deklarata, të cilat, fatkeqësisht, do ta orientonin Kosovën drejt një lufte me një shtet, me të cilin nuk kemi aspak dhe asnjë problem kontestues”, ka thënë ministri Gecaj.

Deklaratën e deputetit Kurti e e vlerëson si të papërgjegjshme edhe Halil Matoshi, analist i çështjeve politike.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se pas një shekulli, në rajon ekziston një stabilitet i qëndrueshëm dhe askush i përgjegjshëm nuk do të ishte i gatshëm ta prishë këtë stabilitet, e posaçërisht duke dërguar mesazhe kërcënuese ndaj Malit të Zi, që sipas Matoshit, është një nga shtetet mike të Kosovës.

“Jo vetëm që e ka njohur shtetin e ri, por ia ka shtrirë edhe dorën e miqësisë, do të thosha. Dhe, duke qenë se është kandidat potencial për NATO, Mali i Zi, praktikisht duhet të ishte partner i Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe jo dikujt t’i shkojë mendja që të kërcënojë me luftë një shtet fqinj. Prandaj, mendoj që zoti Kurti nuk është serioz në këtë deklaratë dhe mendoj që nga publiku nuk do të merret seriozisht”.

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i Sigurisë kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat dhe parashikimet e deputetit Kurti për një luftë të mundshme me Malin e Zi, nuk kanë asnjë bazë të qëndrueshme dhe asnjë argument me premisa reale.

Por, sipas tij, ato janë deklarime që me një dozë të madhe tentojnë ta nxisin dhe rikthejnë një gjuhë të urrejtjes ndërshtetërore, ndërkohë që një gjuhë e tillë është e papranueshme për integrimet euro-atlantike të Kosovës.

“Nëse e shohim mozaikun e gjerë pas kësaj deklarate të fundit për luftë me Malin e Zi, atëherë ne po japim një mesazh, i cili është mesazh i destabilitetit rajonal dhe i vendosjes së Kosovës në pozita armiqësore edhe me një fqinj tjetër, i cili deri më tash nuk ka pasur asnjë lloj indikacioni armiqësor ndaj Kosovës. Për bindjen time, zoti Kurti, si parashikues ose si analist ka dalë krejtësisht i gabueshëm dhe si politikan krejtësisht i papërgjegjshëm”.

Ramadani ka shtuar se çështja e Demarkacionit është problem krejtësisht i brendshëm i politikës së Kosovës dhe jo i Malit të Zi, me të cilin, siç thotë ai, Kosova ka marrëdhënie shumë të mira.

Se në Mal të Zi nuk ka pasur shumë polemika për çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Kosovën, e ka konfirmuar edhe Nik Gjeloshaj, deputet i Alternativës shqiptare në përbërjen e deritanishme të Parlamentit të malit të Zi.

Në një intervistë për Radion Evropa e lirë, ai ka theksuar se “më shumë është diskutuar për atë se a do ta pranojë ose jo Kosova marrëveshjen” dhe ka shprehur mendimin se “dy shtetet fqinje, Kosova dhe Mali i Zi, duhet ta zgjidhin çështjen me gjyq ndërkombëtar, i cili do ta definonte saktë dhe nuk do të linte dilema”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme