Nuk ka guxim për konfiskim të pasurisë

Prishtinë | 17 Sht 2017 | 17:24 | Nga

Lufta ndaj pasurimit të paligjshëm është dhe duhet të jetë prioritet i Qeverisë së re të Kosovës, sepse është instrumenti më efektiv për të luftuar korrupsionin, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, përderisa zyrtarë të qeverisë theksojnë se do ta rishikojnë legjislacionin për këtë çështje.

Në ligj i quajtur “anti- mafia”, nëpërmjet së cilit do të rregullohej çështja e përfitimeve të pasurisë në mënyrë të paligjshme dhe rrjedhimisht do të luftohej korrupsioni dhe krimi i organizuar, ka më shumë se shtatë vjet që është iniciuar, por më deri më tani nuk është jetësuar asnjëherë.

Një premtim për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme e ka dhënë ditë më parë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Ai ka thënë se në një të ardhme të afërt do ta rishikojë legjislacionin për këtë çështje, pa përmendur në mënyrë specifike ligjin “anti-mafia”.

“Do të krijojmë mekanizma efikas, do të krijojmë politika, të cilat do të mundësojnë që ajo pasuri kudo qoftë, qoftë te zyrtarë, qoftë te bizneset, që është e pajustifikueshme, t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Për përfaqësues të shoqërisë civile, Kosova ka legjislacion të mjaftueshëm që mundëson luftimin e pasurisë së paligjshme, por thonë ata, nuk ka vullnet dhe guxim që të zbatohet legjislacioni në fuqi.

Artan Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu” thotë se nëse Ministria e Drejtësisë ka vullnet për këtë çështje, në rend të parë duhet të krijohet një ligj, që lejon në mënyrë retroaktive të verifikohet pasuria e dyshuar.

“Kjo sepse nuk guxojmë të fillojmë nga momenti kur miratohet ligji, sepse hyjmë në një amnisti të përgjithshme për personat që kanë krijuar pasuri të paligjshme ndër vite”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se ndryshimi i kornizës ligjore nuk do ta ndryshojë realitetin në praktikë, duke marrë parasysh politizimin e sistemit të drejtësisë.

“Mungesa e vullnetit politik, mungesa e guximit të prokurorëve për ta zbatuar ligjin, ka ndikuar në mungesë të rezultateve. Pra, korniza ligjore nuk do të ndikojë aspak, nëse nuk ka vullnet në praktikë të Prokurorisë”.

“Pas pasur një rishikim të drejtësisë penale, pa pasur një proces të verifikimit, vetting-ut të gjyqtarëve, prokurorëve duke pasur parasysh politizimin e sistemit të drejtësisë, konsiderojmë se Kosova nuk është e përgatitur dhe nuk i plotëson kushtet për të pasur një ligj të tillë”, vlerëson Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Artan Demhasaj, nga organizata Çohu, shprehet pesimist se mund të ndodhë një gjë e tillë, pasi, sipas tij, zyrtarëve të lartë shtetërorë nuk u konvenon miratimi i një ligji të tillë, sepse objekt i parë i hetimit do të duhej të ishte prejardhja e pasurisë se tyre, e më pas konfiskimi.

“Duke marrë parasysh se një pjesë e madhe e strukturave politike ekzistuese janë milionerë, në anën tjetër shohim se rrogat e tyre nuk janë aq të larta për të krijuar atë pasuri”, thekson Demhasaj.

Ndryshe, edhe pse në Kosovë nuk ekziston ligji “anti mafia” një Ligj për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale, sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë, e kryen funksionin e njëjtë.

Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare, vlera e sekuestrimit ka arritur deri në 70 milionë euro, kurse niveli i konfiskimit është më shumë se një milion e 100 mijë euro.(REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme